Kartat e identitetit, shtohen zyrat në Njësinë 1 dhe 2

Posta

Kartat e identitetit, shtohen zyrat në Njësinë 1 dhe 2

14:42 06/02/2019

Banorët e Njësisë 1 dhe 2 në Tiranë, nga sot mund të aplikojnë pa radhë për kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike, në mjedise të reja e moderne. Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe kompaninë ALEAT, kanë mundësuar hapjen e zyrave të reja pranë shkollës “1 Maji”, të dedikuara plotësisht për aplikimin për mjetet biometrike të identifikimit.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda panë nga afër ambientet e reja, ku 10 sportele ofrojnë një shërbim të shpejtë dhe profesional. Ai theksoi se Tirana është shembull në përgjigjen për çdo nevojë që kanë qytetarët në një kohë të shkurtër.

“Tirana është gjithmonë e para sa herë që ka një nismë kombëtare e cila duhet drejtuar me shembull. Kemi hapur zyra të reja dhe në njëfarë mënyre jemi bërë të gjithë pjesëmarrës të një sipërmarrje që quhet “Aleat”, ku të gjithë jemi aleatë: si pushteti vendor, ai qendror, deputetët e zonës, njësitë administrative, gjendja civile dhe besoj që me hapjen e zyrave të reja për Njësitë 1 dhe 2 te shkolla “1 Maji”, në hyrje të Rr. “Ali Demi”, kemi mundësi fantastike, që punën e sotme të mos e lëmë për nesër, pra ta marrim sot kartën e identitetit!

”, tha Veliaj.

Ndonëse bëri të ditur se nuk ka vend për panik, ai u bëri apel qytetarëve të Tiranës që të nxitojnë dhe të bëjnë sa më parë aplikimet. “E kuptoj që në fillim patëm një ngut shumë të madh sepse na skadoi karta; pastaj patëm ekstremin tjetër, një relaksim shumë të madh, duke qenë se qytetarët mund ta përdorin kartën deri në fund të 2019-ës. Kjo nuk do të thotë që punën e sotme ta lëmë për nesër. Kjo është një punë e sotme dhe tani që, sidomos Njësitë 1, 2, 3 dhe 4 i kanë kapacitetet e nevojshme, duhet që kartën ta marrim sot”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Veliaj theksoi se sot aplikimi për karta identiteti, për ata që u ka skaduar, bëhet edhe më i nevojshëm, duke pasur parasysh që në verë mund të ketë një fluks edhe më të madh në zyrat e ALEAT për shkak të ardhjes së emigrantëve, një pjesë të të cilëve, po ashtu, u skadojnë pasaportat.

“T’u japim prioritet sidomos atyre që janë të moshuar, por duke pasur parasysh që në verë, përveç zgjedhjeve, do kthehen emigrantët, do ketë më shumë nevojë për pasaporta. Vërtet mund ta shtyjmë afatin e kartës deri në 2019, por jashtë Shqipërisë gjërat duhet të jenë të vlefshme, ndaj për të gjitha këto arsye, tani që është relaksuar situata në pjesën më të madhe të Tiranës, dua të ftoj qytetarët që ta përdorin këtë mundësi. Ka shumë pak radhë, gocat e çunat që punojnë këtu janë jashtëzakonisht miqësorë e efiçentë, në punë 4-5 minutash mbaron një detyrim që mbi të gjitha të vlen ty si qytetar. Pra, s’ka panik për t’u shtyrë, por ka mjaftueshëm hapësirë që punën e sotme të mos e lëmë për nesër dhe të marrim kartën e identitetit”,

shtoi ai.

Gjithashtu, ai përcolli edhe një mesazh për të gjithë qytetarët e Tiranës që krahas aplikimit për karta të shikojnë me prioritet edhe verifikimin e emrit në listat e zgjedhësve pranë njësive administrative.

“Dua të ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës të inkurajojnë njeri-tjetrin, jo vetëm për punën e kartave, por për të gjetur emrin e tyre në listat zgjedhore. Duke qenë se është një proces tjetër që për herë të parë kjo administratë e Bashkisë së Tiranës do të sigurohet për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, nuk duam që të ketë votime nëpër lokale apo në ambiente private, ndaj besoj se regjistrimi në njësitë e reja administrative, tek “Fresku”, “Astiri”, tek “Selita”, pra njësitë 12, 13, 14, ku edhe “Aleat” tashmë është prezent, që me hapjen e zyrës së re na mundëson që jo vetëm të kemi një situatë zgjedhore dhe ambiente shumë dinjitoze, jo vetëm që të ofrojmë kartat e “Aleat-it” edhe në tre lagjet e reja që sapo i kemi hapur në Tiranë, por të sigurohemi që mbi të gjitha Tirana është model i një qyteti funksional, në çdo proces administrimi

”, u shpreh Veliaj.

/tvklan.al

 


Reklama
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
UKT

Grupi