Vajzat rebele i shkruajnë vetë rregullat e tyre të lojës. Të paepura ndaj konvencionales, ato e pranojnë autenticitetin e tyre dhe i përballojnë dramat. Termi “Brat” u përhap këtë verë nga albumi i Charli XCX, por stili i jetës që ai përfaqëson nuk është aspak i ri.

Në histori, gratë që mishëronin forcën, pavarësinë dhe shprehjen e vetes pa korniza janë përballur me admirim dhe kritikë. Sot vajzat shijojnë lirinë që paraardhëset e tyre as nuk e ëndërronin, por gjithsesi mbetet në një panoramë ku guximi mund të lëvdohet dhe njëkohësisht, keqpërdoret. 

Në rrjedhën e historisë, ka patur gra të forta përgjatë epokave por 5 prej tyre cilësohen si ndër më “rebelet”.

Kleopatra

Kleopatra VII, faraonia e Egjiptit është një nga gratë më të përfolura në histori. Ndërsa Perandoria Romake luftonte dhe zgjerohej, ajo kërkonte të mbronte mbretërinë e saj.Kështu vendosi të bëhej aleatë jo vetëm në jetën politike, por edhe dashurore të dy perandorëve: Cesarit dhe Mark Antonit.

Ndërsa pushteti i tij rritej, Cesar Augusti u përpoq të mposhtte Kleopatrën dhe Antonin. Ai nisi një fushatë propagande për ta diskredituar mbretëreshën duke e shfaqur si një të huaj të të shthurur, të korruptuar dhe tejet epshore.

Wu Zetian

Perandoresha e parë e Kinës u bë konkubina e perandorit Taizong kur ishte adoleshente. Ajo pati edhe një lidhje me djalin e bashkëshortit që u ngjit në fron në vitin 649 si perandori Gaozong. Wu u bë konkubina e tij.

E arsimuar mirë, inteligjente dhe ambicioze, Wu u bë këshilltarja me influencë e Gaozong. Ajo mori pushtetin kur ai ndërroi jetë në vitin 684. Më vonë, kritikët u përqendruan te romancat e saj, përfshirë edhe vëllezërit Zhang Yizhi dhe Zhang Changzong. Pas vdekjes së saj dolën shumë rrëfime për aventurat e saj në arratisjet e dashurisë.

Sipas Keith McMahon, këto rrëfime “ekzagjeronin tërheqjen e Wu ndaj djemve të rinj dhe e përshkruanin si një grua të pangopur seksualisht. Arritjet e saj si udhëheqëse u renditën të dytat”.

Lucrezia Borgia

E lindur në 1480, fisnikja Lucrezia Borgia ishte vajza e paligjshme e Papës Aleksandër VI. Familja e tyre është quajtur si hedoniste e shthurur.

Borgia merrte pjesë në festa, madje disa prej tyre ishin edhe të tepruara. Sipas Johann Burchard, ajo ka qenë dëshmitare e një feste orgjie në Vatikan në tetor të vitit 1501.

Por si ishte vërtet Lucrezia? Ajo është përshkruar “modeste” dhe “e hijshme”, por mjaftueshëm inteligjente për të drejtuar Vatikanin në mungesë të të atit.

Gjithashtu ajo mbajti barrën e detyrimit familjar për t’u martuar. Martesa e saj e parë me Giovanni Sforza u anullua për shkak të urdhrit të familjes së saj. I tmerruar nga fakti që impotenca ishte shënuar si arsye për anullimin e martesës, Sforza përhapi fjalë se ish-gruaja e tij dhe babai i saj kishin një incest. Ky mit e shoqëroi Lucrezia-n në jetë e në vdekje.

Georgiana, dukesha e Devonshajrit

Në 1774, Georgiana Spencer e festoi 17-vjetorin duke u martuar me William Cavendish, dukën e Devonshajrit. Jeta e tyre familjare nuk ishte aspak e zakonshme. Që në vitin 1782, e dashura e të shoqit jetonte në shtëpinë e tyre.

Por Georgiana nuk kishte të njëjtën liri si i shoqi. Rreth vitit 1789, ajo nisi një lidhje me kryeministrin e  ardhshëm Charles Grey dhe në 1791 mbeti shtatzënë me të. Ajo u detyrua që të ndahej nga fëmija. Duka e lejoi të kthehej në shtëpi dhe të ribashkohej me fëmijët, me kusht që  t’i jepte fund lidhjes me Grey. Dukesha pranoi.

Pavarësisht problemeve personale, Georgiana kishte një jetë shumë aktive sociale nga ballot te tavolinat e kumarit. Në vitin 1806 kur ajo vdiq, borxhet e Georgiana-s kishin arritur me atë që sot përllogaritet në mbi 5 milionë dollarë.

Ajo mbështeti partinë Whig me shumë entuziazëm dhe lobonte, edhe pse gratë nuk e kishin ende të drejtën për të votuar. Kjo e bëri të prekshme ndaj sulmeve. 

George Sand

Në 1832, 27-vjeçarja Aurore Dupin përvetësoi sinonimin George Sand. Ajo u bë një nga shkrimtaret më të pazakonta të letërsisë franceze. Ndonëse fillimisht Sand ndoqi rregullat shoqërore duke u martuar dhe bërë fëmijë, e kundërshtoi konvencionin. U nda nga bashkëshorti, u shpërngul me të dashurin Jules Sandeau dhe jetoi sipas rregullave të saj.

Më pas pati të dashur të tjerë si Frédéric Chopin, Alfred de Musset dhe Charles Didier. Nëse kishte diçka që Sand e donte më shumë sesa ata, ishte jeta sipas rregullave të saj.Ajo pinte cigare, punonte natën vonë dhe vishte rroba burrash.

Kritikët dhe admiruesit u fiksuan pas gjinisë dhe seksualitetit të saj. Alexandre Dumas e quante “gjeniu hermafrodit” ndërsa Gustave Flaubert besonte se ishte anëtare e një “seksi të tretë”.

Këto kritika ishin e njëjta gjë që kishte ndodhur për shekuj me radhë, sulme ndaj grave që jo gjithnjë silleshin siç pritej. Njësoj si vajzat e sotme rebele, ato guxuan të jetonin siç dëshironin./tvklan.al