Ndryshimet e bëra sot në qeveri dhe grup parlamentar, siç u tha në krye të herës erdhën si “rilindje” e Partisë Socialiste. Ashtu si i gjithë opinioni publik u surprizua me zgjedhjet e kryeministrit Edi Rama për të vijuar me ambicien për mandatin e 4-ërt, edhe reagimet në sallën e Pallatit të Kongreseve ishin ‘epike’.


Elisa Spiropali e priti me buzëqeshje postin e kryeparlamentares, të cilin deri të Premten e shkuar e kishte Lindita Nikolla.


Me dorë në zemër falenderoi të pranishmit për duartrokitjet. Edhe kolegët e ulur pranë saj, Niko Peleshi e Bledi Çuçi u gëzuan me këtë vendim.

Postin e nënkryetarit të Kuvendit, e mirëpriti Bledi Çuçi, të paktën aq sa mund të lexojmë nga gjuha e trupit. Ai kishte më parë detyrën e kreut të grupit parlamentar të PS-së.

Niko Peleshi, bën një mimikë që nuk deshifrohet kollaj, por që siç deklaroi para gazetarëve: Është i kënaqur me detyrën e re. Tanimë ai do të jetë kreu i grupit të PS. Detyrën e tij të mëparshme si Ministër i Mbrojtjes e ka marrë Pirro Vengu.

Taulant Balla nuk e fshehu dot habinë në fytyrën e tij, teksa komunikonte me ministren e Turizmit Mirela Kumbaro. Është e dukshme se u zhgënjye disi me detyrën si “pasues” i Elisa Spiropalit në Ministrinë e Shtetit për Parlamentin. Balla sapo kishte mbushur 1 vit në krye të Ministrisë së Brendshme, post për të cilin kishte objektiva të mëdha. Në një moment pranë dyshes së ministrave afrohet edhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj.

Tek të gjitha sekuencat e shkurtra që kamera ka kapur nga salla, disa reagime ishin konstante. Në rreth 3 orë Kongres, Pandeli Majko dhe Erion Veliaj ruajnë të njëjtin portret të buzëqeshur…

E.D/tvklan.al