Këshilli i Lartë Gjyqësor ka shkarkuar nga detyra gjyqtaren Enkeleida Hoxha. Kërkesa për shkarkimin e gjyqtares së Krujës ishte bërë nga ILD.

Ajo ndodhet aktualisht në masën arrest me burg për akuzën e korrupsionit. Enkeleida Hoxha u arrestua në Shkurt së bashku me 9 persona të tjerë.

Sipas dosjes së Prokurorisë së Posaçme gjyqtarja Hoxha, në bashkëpunim me avokatin Aldo Tabaku dhe sekretaren e Gjykatës së Krujës Manuela Mallakuci merrnin para për të liruar nga burgu persona të dënuar.

Një një njoftim për mediat, ILD tha se “në seancën e paraqitjes së përfundimeve mbi hetimin e kryer, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani kishte argumentuar shkeljet disiplinore të magjistrates, si mospërmbushje e pajustifikuar e funksioneve gjatë gjykimit; veprime që kanë sjellë përfitim të padrejtë për palët, mosrespektim të rëndë e të vazhduar të legjislacionit material e procedural penal dhe nxjerrje të akteve (vendimeve) të paarsyetuara”.

Enkeleida Hoxha është magjistratja e dytë për të cilën KLGJ ka pranuar kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për shkarkim nga detyra, për shkelje të rënda disiplinore lidhur me lirimet para kohe me kusht dhe e treta magjistrate e shkarkuar nga KLGJ pas një hetimi disiplinor të ILD-së.

“Prej marrjes së detyrës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka ndarë shqetësimin publik për vendimmarrjet dhe veprimtarinë e institucioneve të tjera, lidhur me lirimet para kohe me kusht, duke përcaktuar si prioritet fillimin e inspektimit të ILD-së, pikërisht këtë fenomen. Pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë vijon verifikimi për vendimmarrje të ngjashme bazuar në procesin e inspektimit tematik në gjykatat e prokuroritë e vendit,” thuhet më tej në njoftimin e ILD.

Çfarë ndodhi në seancën e zhvilluar paraditen e kësaj të mërkure?

Gazetarja e Klan News, Glidona Daci raportoi se vetë Hoxha kishte kërkuar një masë më të butë, si ajo e pezullimit nga detyra për një kohë të caktuar.

“Në seancë u kërkua që të mos vendosej masa e shkarkimit nga detyra, por të caktohej një masë më e butë siç është ajo e pezullimi menjë afat të caktuar, 1 ose 2 vjeçar. Këto kërkesa të bëra nga vetë gjyqtarja Hoxha nuk janë pranuar nga anëtarët e KLGJ, të cilët kanë vendosur përfundimisht që Enkeleida Hoxha të dalë jashtë sistemit të drejtësisë. Duhet theksuar se edhe vetë Inspektori i Lartë i Drejtësisë, ka marrë disa vendime të gjyqtares Hoxha, në të cilat ka konstatuar parregullsi ligjore, por duke qenë se çështjet nuk janë shqyrtuar akoma në Gjykatën e Apelit, atëherë KLGJ ka vendosur që t’i pezullojnë derisa të merrej vendimi. Kërkesa për shkarkimin e Hoxhës kishte lidhje vetëm me lirim e Hekuran Billës, duke pezulluar kërkesën për shkarkim për çështjen e lirimit të Endrit Dokles, numri 2 të bandës së Durrësit i dënuare me burgim të përjetshëm, i cili u lirua pasi kishte kryer vetëm 19 vite burg. Ishte pikërisht kjo gjyqtare që kishte dhënë vendimin për lirimin e Dokles. Vendime të diskutueshem edhe për emra të tjerë të botë së krimit si Ilir Paja e Genc Tafili. Nga ana e mbrojtjes, avokati i saj se në rastin e Genc Tafilit dhe Ilir Pajës nuk e kemi pasur të bëjmë me probleme ligjore, duke qenë se Pajës i takonte ligjërisht që të përfitonte uljen e dënimit dhe më pas të lirohej me kusht duke qenë se kishte kryer pjesën më të madhe të dënimit”. /tvklan.al