Kokaina në banane, flet Presidenti i “Bana King”: Jam i gatshëm të dëshmoj para autoriteteve shqiptare





Kokaina në banane, flet Presidenti i “Bana King”: Jam i gatshëm të dëshmoj para autoriteteve shqiptare

10:54 26/07/2022

Në një intervistë ekskluzive për emisionin Uniko nga Spartak Koka, Presidenti i kompanisë “Bana King”, Trifon Murataj, ka folur për herë të parë lidhur me dy episodet që kanë ndodhur me kontenierët e tij.

Kujtojmë se më 28 Dhjetor 2021 në kontenierin e ardhur me banane të porositur në Ekuador nga “Bana King” u gjetën 119 kg kokainë. Ndërsa në rastin e dytë më 16 Korrik 2022, në kontenierin e kompanisë në Portin e Durrësit u konstatua se mungonin 49 arka me banane, për të cilat policia dyshon se ka patur kokainë.

I pyetur nga gazetari Spartak Koka përse nuk ka ardhur në Shqipëri për të dëshmuar që në rastin e parë të Dhjetorit 2021, Trifon Murataj, i cili jeton në SHBA, thotë se nuk i është kërkuar nga autoritetet shqiptare që të japë sqarime.

Presidenti i “Bana King” shprehet se është i gatshëm që të dëshmojë dhe të japë sqarime nëse do t’i kërkohet nga autoritetet shqiptare.

Spartak Koka: Përse nuk erdhët që në rastin e parë të Dhjetorit në Shqipëri për të deponuar përpara autoriteteve ligjzbatuese dhe nuk u vutë në dispozicionin e tyre personalisht dhe fizikisht për të dhënë shpjegime? Dhe përse u kthyet tani në rastin e dytë?

Trifon Murataj: Që të jem shumë i qartë për të gjithë ata që na shikojnë dhe dëgjojnë. Unë në Amerikë nuk kam vajtur në Dhjetor. Unë në Amerikë jetoj dhe atje kam plan për të jetuar. Jam fatlum që jetoj në Amerikë. Atje kam gjënë më të shenjtë, familjen, atje kam fëmijët që në gjithë këto vite më është dashur t’i rris dhe t’u rri mbi kokë dhe për moshën që kanë. Dhe unë kisha ikur në Amerikë para Dhjetorit, kisha ikur në Nëntor para Ditës së Falenderimeve, dhe për ironi të fatit unë e kisha prerë biletën që në Qershor të 2021 që do kthehesha në Nëntor të 2021. Erdha, kisha 3 vjet pa ardhur, kisha që në 2019 pa ardhur në Shqipëri. Qëndrova 3-4 muaj me familjen dhe ika. Në moment që unë jam në Amerikë edhe që ndodh kjo, e kupton që jam në Amerikë në skanerin më të fuqishëm të botës për verifikimin e këtyre punëve.

Spartak Koka: Por kur je në një skaner të tillë për opinionin publik, a mund të vinit dhe këtu? Ju kërkuan të vinit këtu?

Trifon Murataj: Jo, s’mu kërkua asnjëherë.

Spartak Koka: Mediatikisht u tha që Trifon Murataj po i shmanget drejtësisë duke mos ardhur. Ju nuk keni folur asnjëherë për këtë ngjarje.

Trifon Murataj: Fali o Zot sepse nuk dinë çfarë thonë e çfarë bëjnë. I kam lënë. Vetëm një gjë u them. Zoti nuk ka lënë kurrë punë të pambaruara.

Spartak Koka: Pra ju jeni gati sot që keni ardhur në Shqipëri të depononi para institucioneve ligjzbatuese shqiptare?

Trifon Murataj: Absolutisht po. E para e punës, nuk kam ardhur për të deponuar. Unë kam ardhur në kompaninë time, kam ardhur në zyrën time.

Spartak Koka: Në rast se do ju thërrasin, ju jeni gati?

Trifon Murataj: Në rast se do më thërrasin dhe jam këtu. Sepse unë jetoj në Amerikë, unë nuk jetoj në Shqipëri.

Spartak Koka: Nga 28 Dhjetori 2021 deri sot që flasim, ju është kërkuar të vini në Shqipëri të depononi? Është kërkuar prania juaj që të jeni në Shqipëri për të dhënë sqarime për dy episodet?

Trifon Murataj: Nëse do më ishte kërkuar, do kisha ardhur brenda 24 orëve. /tvklan.al













Të ngjashme