Përdoruesit e automjeteve në Shqipëri do të duhet të rikonsiderojnë gjendjen teknike të mjeteve te tyre. Aparaturat me të cilat është kryer kolaudimi rezultojnë se janë teknikisht jo në rregull.

Televizioni Klan ka siguruar një raport monitorimi nga një grup inspektimi i ngritur me urdhër të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, i cili ka ushtruar kontroll në datat 16 deri në 23 Dhjetor, për pikën e kolaudimit në Tiranë, Durrës, Laç dhe Fier.

Raporti vendos në pikëpyetje sigurinë dhe cilësinë e shërbimit nga ana e konçesionarit për disa arsye. Për të gjitha rastet e makinave që janë ritestuar, niveli i gazrave ishte më i lartë.

“Kjo përbën një shkelje të cilësisë së inspektimit që kryhet prej Qëndrës së Kontrollit Teknik, e cila mund të jetë rezultat i kryerjes së gabuar të testimit prej inspektorëve; aparat testues jashtë klasit të saktësisë; kalibrim i gabuar i vetë aparatit; ose kombinim i këtyre të treja”, thotë raporti.

Në njësinë e Fierit, i njëjti problem është gjetur në testimin e sistemit të frenimit, ku rrulat rezultonin jashtë klasit të saktësisë. “Rezultati mbi sistemin e frenimit nuk është i besueshëm”, shkruhet në konstatimet e ekspertëve. 

Po ashtu kompanisë i është kërkuar që të dorëzojë dokumentacionin i cili vërteton se subjekti që ka lëshuar çertifikatat e cilësisë dhe kalibrimit të pajisjeve që bëjnë kolaudimin e mjeteve zbaton standardet e dakordësuara në kontratë.

Grupi i kontrollit ka gjetur se radhët e makinave që krijohen në ditë të ndryshme të vitit lidhen me mangësitë e organizimit nga njësia që zbaton projektin e shërbimit të kolaudimit. Po ashtu inspektorët konstatuan edhe futjen për kontroll teknik të mjeteve jashtë orarit të rezervimeve.

Kompania konçesionare rrezikon që të penalizohet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Nëse nuk arrin të përmbushë korrigjimet e lëna nga ky autoritet, edhe pas disa paralajmërimesh, mund t’i prishet kontrata.

Tv Klan