Kombëtarja e femrave kaloi në fazën kualifikuese të Botërorit 2019, pasi fitoi 2 – 1  me Greqinë në sfidën e fundit paraeliminatore.

Shqipëria e mbylli në krye të grupit me 7 pikë. Takimin e luajtur në Elbasan vajzat kuqezi e nisën në kërkim të golit dhe Megi Doçi shënoi në minutën e 16’. Festa e skuadrës shqiptare zgjati pak, pasi përfaqësuesja greke barazoi në aksionin pasardhës me Sofia Nati.

Pjesa e dytë nisi me Shqipërinë në kërkim të golit, por Furtuna Velaj gaboi nga pika e 11-metërshit. Greqia mbeti me 10 lojtare për shkak të një kartoni të kuq. Shqipëria rrezikoi vazhdimisht duke shfrytëzuar edhe epërsinë numerike dhe Velaj korrigjoi gabimin në minutën e fundit duke shënuar golin që vendosi suksesin.

Kombëtarja e femrave do të njohë rivalet e fazës kualifikuese në shortin e 25 prillit. Kjo është hera e dytë që Shqipëria mbërrin në këtë fazë të turneut.

Tv Klan