Pas 4 muajsh hetime dhe dëshmish me dyer të mbyllura për akuzat për ndërhyrjen në sistemin TIMS, Komisioni i Posaçëm Parlamentar mes debateve ka mbyllur punimet duke mos u dakordësuar për një raport të përbashkët përfundimtar.

Kryetari i këtij komisioni Ervin Salianji në raportin e pakicës ka akuzuar se ndërhyrjet në sistemin TIMS janë bërë për arsye kriminale dhe për përfitime monetare.

“Konstatuam se punonjës të Policisë së Shtetit apo struktura të tjera ligjzbatuese që kanë për detyrë funksionale ruajtjen dhe administrimin e të dhënave të sistemit TIMS i kanë vënë në dispozicion të grupeve kriminale kundrejt përfitimeve monetare. Aksesi u shërben grupeve kriminale dhe për të regjistruar apo jo hyrje daljet e personave të ndryshëm sipas interesave të tyre duke u bërë qartazi manipulimi i sistemit për të mos regjistruar asnjë të dhënë për hyrje daljet e personave që këta kanë interes”, tha Salianji.

Mazhoranca në raportin e saj mohoi keqpërdorim të të dhënave të TIMS, por kërkoi që të mbahet përgjegjës për neglizhencën në zbatimin e ligjit dhe propozoi që brenda 6 muajsh Kuvendi të bëjë ndryshime ligjore të nevojshme për të përforcuar këto sisteme sigurie jetike për Shqipërinë.

“Në të gjithë informacionin që disponon Policia e Shtetit nuk ka asnjë indikacion që provon se të dhënat e sistemit TIMS kanë pësuar ndërhyrje dhe deformime. Nevojitet harmonizimi i ligjit. Rekomandojmë përcjelljen e ndryshimeve ligjore brenda gjashtë muajve nga miratimi i këtij raporti në Kuvend si dhe propozime për zgjidhjen e çështjes përfshirë edhe masat për personat përgjegjës”, shprehet Toni Gogu.

Të dy raportet do të shkojnë në Kuvend nga ku pritet të miratohet njëri prej tyre me shumicë votash. Ndërkohë që Salianji bëri thirrje ndaj kolegëve për reflektim deri në miratimin final në Parlament.

“Faleminderit që ishit pjesë edhe pa e kuptuar shpesh se çfarë ishit.”

Klan News