Lajme Arkiva 2003

Një Ave Maria në prag të shenjtërimit të Nënë Terezës, shqiptares me zemrën më të madhe në botë. 100 artistë të mbledhur së bashku në një koncert Grand Gala të organizuar në katedralen Shën Pali në nderim të saj.

I organizuar nga Zana Çelo ky koncert klasiko-modern duket se është homazhi më i mirë që mund ti bëhet figurës së Nënë Terezës së Kalkutës ku të gjithë artistët shqiptarë janë mbledhur së bashku për të përçuar nëpërmjet muzikës së tyre dhe kujtimit të saj mesazhin e paqes.

Në koncert janë interpretuar pjesë nga autorë të njohur klasik botëror si Vagner, Albinjoni por edhe autorë bashkëkohorë si John Lenon etj. Nuk mund të mungonin në këtë koncert të madh edhe krijimet në gjuhën shqipe si kënga Nënë Tereza e realizuar nga Avni Mula dhe krijime nga Gjon Simoni.

Koncerti është realizuar me mbështetjen e qeverisë shqiptare, Bashkisë së Tiranës dhe katedrales Shën Pali, ndërsa orkestra filarmonia e re është drejtuar nga dirigjenti italian Kuadrini. Ai është ndjekur nga personalitete të njohur të jetës shqiptare, politikanë, të ftuar etj.

Koncerti është organizuar në kuadër të aktiviteteve që po i paraprijnë lumturimit të Nënë Terezës nga Papa Gjonpali i dytë në Vatikan në datën 19 Tetor./tvklan.al