Edicioni i dytë i Festivalit “Tirana European Youth Film Festival” ka ulur siparin. Në ceremoninë e mbylljes kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se sot bashkia është një platformë e mundësive për ata që kanë pasion të merren me art.
Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës: Ne duam të jemi një platformë e mundësive të para, e dorës së parë që të jepet, për të cilën secili prej nesh ka pasur nevojën një ose disa herë në jetën e tij. Unë ndihem mirë në disa vendime që i kemi marrë. Kur shteti do, shteti bën, kur Bashkia do, kur autoritetet duan të bëjnë diçka, ia arrijnë. Ne bëmë një mësymje në fakt, një mësymje në të gjitha objektet publike që kishin qenë kinema, për t’i rikuperuar. Kur mendoj se publiku, publikja, ne-ja, e përbashkëta, ka prodhuar shumë më shumë aktivitete se sa privati, më vjen vërtet mirë.
Ai theksoi se vitin e ardhshëm që Tirana është “Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës” do vazhdojnë të shtohen investimet për artin dhe kulturën, përfshirë këtu edhe kinematografinë.
Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës: Nuk mjafton vetëm ta kurosh hapësirën nga ana fizike, nëse nuk e mbush me jetë, me frymë njeriu. Në dy vitet e fundit kemi pasur 20 produksione filmash në Tiranë. Kur mendoj që pas 20 produksioneve, në vetëm dy vite punon një ushtri me njerëz. Dua ta inkurajoj pak edhe zyrën e filmit, që të vazhdojë këtë marketing për Tiranën. Është një nga vendet më unike në botë. Ka energji unike, ka miks të arkitekturave, është vend kozmopolitian, vjen nga një histori shumë e vështirë. Ndaj edhe jam shumë i vendosur që vitin tjetër që Tirana është Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës të vazhdojmë të shtojmë investimet për artin dhe kulturën.
Edhe këtë vit, festivali solli sërish artin e kinemasë evropiane në Tiranë, nga vende si Franca, Gjermania, Italia, Polonia, Kosova, Serbia, Shqipëria dhe Portugalia.
Klan News