Ish-Kryeministri Sali Berisha gjatë fjalës së tij nga ballkoni i banesës ka folur edhe lidhur me Kongresin e Partisë Socialiste të mbajtur ditën e sotme. Berisha u shpreh se fjalët e kryeministrit për deputetët e PS ishin kopje e zbutur e fjalëve të tij për ata deputetë.

Ish-kryeministri Sali Berisha: Parë në çdo aspekt, ky kongres ka fytyra njërën më të shëmtuar se tjetrën. Ai në fakt u mbyll edhe si kongresi i spiropalizimit të rilindjes. Figura më fantazmagorike në 32 vite të politikës shqiptare, Zilie Pali, apo Zilie Gjoka u zgjodh kryetare e kuvendit të Shqipërisë. Por dua të jemi të sinqertë dhe gjërat duhet t’i shohim jo me pasion të madh politik se i kemi kundërshtarë, por fjalët që tha ai për deputetët e tij, ishin një kopje e zbutur e fjalëve të mia për ata deputetë. Hajdutë, interesaxhi, antipopullor, dhe çdo epitet tjetër. Sot kreu i narkosit gjeti të lavdërojë vetëm Vullnet Sinën se i ka dhënë dorëheqjen me probleme madhore me fshatarët e Gjormit dhe Labërisë, seç bën atje me gurore, ujëra etj. Kurse të tjerët i quajti minj portalesh, intrigantë, gjuhë nepërkash që ju mbetet jashtë. I quajti dhe çfarë nuk i quajti or miq, dhe e dini se pse, se ata jo se nuk kanë mëkate, se janë mëkatarë të mëdhenj, por mëkati i tyre më i madh për Edi Ramën është se, ata nuk e mbrojtën Ramën dhe Olsin kur opozita i bëri radiografinë në parlament.

Ndër të tjera sa i takon fjalëve të Kryeministrit ndaj opozitës, Berisha theksoi se nuk mund të kishte fjalë tjetër për opozitën. Ish-kryeministri tha se PD ka si kryefjalë të vetën bashkimin dhe unitetin e shqiptarëve, ndryshe nga ato se çfarë deklaron Rama.

Ish-kryeministri Sali Berisha: Si pasardhës i një xhelati të diktaturës Hoxhiste, nuk mund të kishte fjalë tjetër për opozitën, veç se ato që tha. Në përroin e tij psikik, opozita sipas tij është një cisternë helmi dhe pluralizmi është një helm dhe volli vrer njëlloj sikur të ishte ulur aty Spiro Koleka, daja i tij biologjik apo Kristaqi që firmoste varjen e disidentëve, ndaj opozitës. Deklaroi se opozita ka mbjellë që në themelim me pluralizmin, luftën shqiptarit, kundër shqiptarit. Për disa që kanë qenë aktiv në vitet ’90, ju kujtohet se argumenti kryesor kundër pluralizmit që sillnin etërit e Edi Ramës, ishte përçarja kombëtare. Se na e përçanë kombin ne. Pas 33 vitesh, Edi Rama parashtron dhe del para shqiptarëve me tezën e ndasisë politike që sjell opozita në Shqipëri. Ky është një qëndrim armiqësor, antidemokratik ndaj pluralizmit politik dhe demokracisë në Shqipëri. Në një kohë kur PD ka patur dhe ka si kryefjalë të veten bashkimin dhe unitetin e shqiptarëve, pa dallim bindjesh, status, gjinie, moshe. PD-ja është e angazhuar në bashkimin e shqiptarëve kundër narkoshtetit që dëboi rreth 40% të shqiptarëve nga Shqipëria.

/tvklan.al