Grupi i organizimit të Kuvendit të 11 Dhjetorit ka reaguar pas akuzave të Lulzim Bashës për organizimin dhe kostot e këtij eventi.

Në një deklaratë thuhet se Basha shpifi kur tha se për këtë event është kontraktuar bashkëshorti i një deputeteje të PS.

Grupi i organizimit thotë se kostot modeste të organizimit do të bëhen transparente për mediat në ditët në vijim.

DEKLARATA:

Deputeti Basha ripërtypi sot publikisht shpifjet e mediave të Edi Ramës për organizimin dhe kostot e Kuvendit te Partisë Demokratike. Kostot modeste të këtij organizimi do të bëhen transparente për mediat ditët në vijim.

Po ashtu kukulla e Ramës shpifi publikisht se për këtë event është kontraktuar bashkëshorti i një deputeteje të Partisë Socialiste. Hedhim poshtë me neveri këtë shpifje dhe sqarojmë opinionin se kjo është totalisht e pavërtetë!

E mirëkuptojmë zemërimin e z. Basha përse nuk e organizuam Kuvendin me kompaninë e të afërmve të tij, por rrjepja që ata i kanë bërë financave të PD këto 8 vjet e ka bërë këtë kompani të papërballueshme për mundësitë tona!/tvklan.al