Pas përfundimit të mbledhjes së Asamblesë së PS, ku dhe u bënë të ditura emrat e drejtuesve të qarqeve nga kryeministri Edi Rama, pati një reagim nga kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi. Sipas Bardhit Asambleja e PS ishte një shkrirje totale e kësaj force politike.

“Lajmi i vetëm nga Asambleja personale e Edi Ramës është shkrirja totale e Partisë Socialiste dhe zëvendësimi i figurave të kësaj force politike me pupacë në xhepin e brendshëm të xhaketës së vjetruar dhe të bërë pis nga ai vetë. I vetmi që nuk ndryshon është Edi Rama, i cili për pushtetin personal është gati t’i verë flakën Shqipërisë, e jo më partisë së tij,” shkruan Bardhi.

Më tej në postimin e tij në “Facebook”, Bardhi shkruan se në fjalën e kryeministrit nuk pati asnjë reflektim mbi punët e paarritura dhe premtimet e pambajtura.

“Asnjë ide, asnjë reflektim, llogaridhënie, asnjë ndjesë për çfarë ka shkuar keq. Vetëm vazhdim i refrenit të vjetër, fajëso dhe sulmo kundërshtarin, bëj sikur ke ardhur sot në pushtet dhe nuk ke patur shansin e mundësinë për të rritur rrogat, pensionet, për të forcuar e zhvilluar ekonominë, apo për të luftuar krimin e korrupsionin.

Flet për 2030, por mendjen e ka tek 1997. Flet për zhvillim, por mendja i punon vetëm për shkatërrim. Flet për të rinjtë, por mendjen e ka si të fuqizojë kriminelët dhe të korruptuarit. Me pak fjalë, i njëjti në 11 vite, tjetër gjë thotë dhe tjetër gjë bën.

I vetmi institut modern ku bazohen parashikimet e tij elektorale janë paratë e vjedhura e të drogës që do hedhë, dhe aktivizimi i bandave që janë shtabet e tij elektorale. Sa herë shihni atë portret që bën si profet, duhet të kujtoni të gjithë horrat, trafikantët e vrasësit që qëndrojnë pas tij, duhet të kujtoni qindra milionë euro të grabitura në rrugë, tunele, koncesione e inceneratorë. Kjo është e vërteta e tij zgjedhore, asgjë tjetër!,” shkruan më tej kreu i grupit parlamentar të PD.

Në fund të shkrimit reagimit të rij Bardhi u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkohen për të shpëtuar Shqipërinë.

“Sot më shumë se kurrë ndonjëherë duhet kurajo e bashkim për ta shpëtuar Shqipërinë nga kjo thundër e piset, e korruptuar dhe e zhytur në krim,” përfundon Bardhi.

/tvklan.al