Kur do mbarojë situata me koronavirusin? Si përgjigjet mjeku


Kur do mbarojë situata me koronavirusin? Si përgjigjet mjeku

19:55 15/03/2020

Rubrika “Kujdes Shëndetin”, u rikthye sërish këtë të dielë në programin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan.

I ftuar në studio ishte mjeku Ardian Jorgji, i cili iu përgjigj pyetjeve të drejtuesit të emisionit Ardit Gjebrea.

Ardit Gjebrea: Kur do mbarojë kjo histori?

Ardian Jorgji: Sipas një vlerësimi të përbashkët, do shikohet si do sillet viroza dy muajt e ardhshëm.

Ardit Gjebrea: Dy muaj?

Ardian Jorgji: Dy muajt e ardhshëm!

Ardit Gjebrea: A ka një kurë, a ka një trajtim specific?

Ardian Jorgji: Nuk ka trajtim specifik dhe këtë besoj mund ta kuptoj kushdo, flasim për një fenomen të ri, dy muaj, dy muaj e gjysëm. Trajtimi është simtomatik, si për çdo virozë tjetër.

Ardit Gjebrea: Që do të thotë?

Ardian Jorgji:  Që do të thotë shumë lëngje, ushqim cilësor, vitaminë C, gargarë me ujë me kripë, çaj me mjaltë dhe me limon, të çlodhemi, një orë gjumë më tepër nga ana shkencore do të thotë 15 % më tepër rritje të imunitetit.

Ardit Gjebrea: Si ta kuptojmë kur thuhet që në pëmasën e tij ky virus është i madh, në diametër shkon 80 deri 160 nanometër?

Ardian Jorgji: Në jetën praktike nuk besoj se ka vlerë të madhe. Është një virus që agresivitetin e tij e ka treguar dhe po e tregon çdo ditë, me përmasat e përhapjes. Është shumë më tepër agresiv sesa virusi i gripit, llogaritet 20% më tepër agresiv. Por agresiv, edhe për sa i përket dëmit që shkakton në organizmin e njeriut.

Ardit Gjebrea: Kur vdes njeriu nga kjo sëmundje? Se kjo është edhe pyetja që bëjnë të gjithë: A do vdesim?

Ardian Jorgji: Kur duhet të alarmohemi do ishte më e saktë. Një shenjë që duhet të na alarmojë është kur gjendja e përgjithshme e organizmit rëndohet dhe në veçanti shfaqet vështirësia në frymëmarrje. Vështirësaia në frymëmarrje duhet të na bëjë shumë vigjilentë./tvklan.al



Të ngjashme