Javën e kaluar, emisioni Stop në Tv Klan trajtoi rastin e zonjës Anxhela Likaj në fshatin Veleshnjë të Beratit, e cila prej vitit 2018 ishte zhvendosur në familjen e prindërve. Prej vitesh ajo pret vendimin përfundimtar të gjykatës për zgjidhjen e martesës me bashkëshortin. Gjykata e Beratit e ka bërë zgjidhjen e martesës, duke ia lënë nënës fëmijët për rritje dhe edukim.

Por ky vendim është apeluar nga bashkëshorti i zonjës dhe Anxhela është e detyruar të mbajë fëmijët, prindërit dhe veten me 350 mijë Lekë të vjetra nga puna në një fasoneri.

Ajo tregoi dëshirën e fëmijëve të saj të cilat duan të ndjekin kurse anglishteje, por e ëma nuk ka mundësi ekonomike. Pas transmetimit të rastit, zonja Ilnisa Gramshi është ofruar t’u bëjë kurs anglishteje falas tre fëmijëve të Anxhelës, 7, 10 dhe 12 vjec.

“Sapo pashë rastin, direkt nuk u mendova. Duke qenë se jam dhe nënë vetë, normalisht mendova të bëja këtë gjest. Besoj se do bëhet më e mira për fëmijët e tu dhe suksese”, thotë zonja Ilnisa.

“Faleminderit shumë zonjës dhe juve, ju jam shumë mirënjohëse”, shprehet Anxhela.

Një tjetër histori e radhës në Stop, është apeli në bashkëpunim me Fundjavë Ndryshe për të ndihmuar vogëlushen 7-vjeçare nga Peqini, Altea Ismaili, e cila që nga lindja ka bërë 7 ndërhyrje kirurgjikale për të mundur të ecë.

Fatkeqesisht sot ajo ka jo vetëm këmbët, por edhe shtyllën kurrizore me probleme. Për ndërhyrjen e saj duhen 12 mijë Euro.

“Altea ime ka që kur ka lindur që vuan nga këmba. E kemi çuar për vizita, po ne nuk kemi mundësi që t’i bëjmë kontrolle dhe të gjitha siç duhen bërë. Fëmija im nuk ecën normal si gjithë të tjerët. Kemi vuajtur shumë me atë. Të bëhet për veten e vetë të paktën, s’dua gjë tjetër. Ç’a të bëj me 80 mijë Lekëshin që marr. Dua vetëm që Altea ime të eci si të tjerët, ju lutem na ndihmoni”, thotë mes lotësh babai i vajzës.

“Nga nuk e kam çuar, në Tiranë e kam çuar, nuk e ka marrë njeri përsipër rastin e këmbës së Alteas. Unë Altean e kam çuar shumë herë pa ndjenja në spital, ka nevojë për ndërhyrje në këmbë sepse dhe këmba tjetër po i deformohet ngaqë ecën vetëm me një këmbë”, shprehet nëna e 7-vjeçares.

“Stop” dhe “Fundjavë ndryshe” kanë hapur një ‘Gofoundme’ për rastin e Alteas, duke bërë apel për të bërë të mundur ndërhyrjen kirurgjikale për të jashtë shtetit. /tvklan.al