Zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe modernizimi i Kushtetutës së Bosnje e Hercegovinës duhet të jenë ndër prioritetet në rajon, ka thënë i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe çështje të tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Duke folur në forumin e Budvës të Malit të Zi, Lajçak tha se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përbëjnë sfidën më të madhe strategjike në rajon, sepse ndikojnë në bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian.

“Ne shohim përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për të arritur sundimin e ligjit në veri të Kosovës. Të gjithë e mbështesin sundimin e ligjit, por për fat të keq, është bërë në atë mënyrë që nxit kundërshtime nga bashkësia ndërkombëtare dhe zhgënjim nga komuniteti vendës. Prandaj edhe kemi më shumë tensione.

Lajçak iu referua veprimeve të autoriteteve kosovare për mbylljen e institucioneve paralele serbe në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

“Unë shtroj pyetjen: cila është alternativa për këtë konfrontim, tension? Kujt i sjell dobi? Sigurisht që jo qytetarëve, e as Kosovës, Serbisë e rajonit. Pra, ne e dimë se çfarë duhet bërë, dhe tani pyetja është: pse të mos e bëjmë këtë? Në Kosovë po vijnë zgjedhjet dhe nga përvoja politike e di se rrallë mund të priten ndryshime të mëdha para zgjedhjeve, por, ne po përgatisim terrenin për përparim të shpejtë menjëherë pas tyre.”

Për sulmin e armatosur kundër Policisë së Kosovës vitin e kaluar në Banjskë, i dërguari evropian tha se vijon të ketë ndikim shumë të dëmshëm në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës.

“BE-ja ishte shumë e qartë: ata që janë përgjegjës për këtë duhet të mbajnë përgjegjësi. Dhe ne e dimë se cilët janë këta njerëz, disa prej tyre pranuan përgjegjësinë dhe është për keqardhje që ne nuk e shohim atë përgjegjësi.”

BE-ja do të vazhdojë të ngulë këmbë në përgjegjësi, sepse rastet si Banjska nuk duhet të kalojnë pa ndëshkim për përgjegjësit.

Lajçakut i është zgjatur mandati deri në Janar të vitit 2025, një nga pyetjet ka qenë nëse ai pret përparim në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë deri atëherë.

Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshje në fillim të vitit të kaluar për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve, por tanime 18 muaj më vonë, nuk ka përparim të dukshëm në zbatimin e saj.

Kosova ngul këmbë që kjo marrëveshje të nënshkruhet së pari, edhe pse BE-ja thotë se ajo është e detyrueshme pavarësisht nënshkrimit, ndërsa Serbia ka shprehur rezerva për zbatimin e plotë të saj.

Klan News