Dalja nga objektivi për t’u kualifikuar në Kampionatin Europian e ka zhvendosur vëmendjen e kombëtares së 21-vjeçarëve në Kategorinë Superiore. 11 futbollistë të cilët aktivizohen në vendin tonë kanë marrë ftesë nga tekniku Alban Bushi për të qenë në dispozicion për sfidën ndaj Armenisë.

Një 90 minutësh që ul siparin e kualifikueseve të Europianit për këtë grupmoshë, e cila do të luhet më 15 Tetor në stadiumin kombëtar “Air Albania”. Pas fitores fantastike ndaj Zvicrës U-21 në transfertë, Shqipëria do të kërkojë triumfin e radhës.

Përballje që do të vlejë më shumë si test kolaudimi për sfidat e radhës së kuqezinjve të vegjël. Për herë të parë me kombëtaren e 21-vjeçarëve grumbullohet edhe Maldin Kaçurri. Mbrojtësi shihet si me mjaft potencial për të ardhmen dhe pas minutave me Arsenalin e Mikel Artetës do kërkojë të lë gjurmë edhe nën urdhërat e teknikut Bushi.

Kuqezinjtë gjenden në vendin e katërt të grupit E kualifikues me 13 pikë. Kuotë e grumbulluar falë 4 fitore dhe një barazimi, teksa 4 sfidat e tjera kanë përfunduar me humbje. Një prej triumfeve është pikërisht ndaj Armenisë, të cilët janë edhe rivali ynë i radhës. 

Klan News