Lirohen 10 protestues të Unazës së Re

Lirohen 10 protestues të Unazës së Re

19:30 25/11/2018

“Gjykata e Tiranës ka liruar 10 nga 11 protestuesit e arrestuar për protestën e dhunshme para parlamentit, duke  caktuar masën e sigurisë detyrim paraqitje deri në përfundim të hetimeve”.

I vetmi që mbeti në qeli, përveç Dorjan Dobrajt, i cili do të dalë të hënën për masë sigurie, ishte Dorjan Protoduari i arrestuar në Spitalin e Traumës pak orë pas protestës.

Më herët gjykata caktoi masën e sigurisë arrest me burg me afat 30 ditë për Ilias Sketiraj, personi i cili qëlloi me këpucë Kryeministrin Edi Rama, pas daljes nga Spitali i Traumës ku vizitoi policen e plagosur Ina Nuka.

Prokuroria kishte kërkuar mbajtjen në qeli të 6 prej të arrestuarve që dolën këtë të diel në sallën e gjyqit, me akuzat e plagosjes së rëndë me dashje, kundërshtim të policisë, organizim të tubimit të paligjshëm dhe prishjes së qetësisë publike.

“Seanca për caktimin e masës së sigurisë për 11 protestuesit e Unazës së Re është zhvilluar nën masa të rrepta sigurie. Dhjetëra policë kanë siguruar Gjykatën e Tiranës pasi familjaret e të arrestuarve dhe banorë të tjerë të Unazës së Re ishin mbledhur para gjykatës”. 

Që herët në mëngjes, qindra banorë të Unazës së Astirit u mblodhën jashtë gjykatës në mbështetje të familjarëve të tyre. Momente tensioni pati kur deputetë të opozitës nuk u lejuan nga kordoni i policisë të hynin në sallën e gjyqit.

Pas përfundimit të seancës, banoret e cilësuan të padrejtë vendimin, ndërsa paralajmëruan se nuk tërhiqen nga akuza e tyre. Në të njëjtën valë me banorët ishin dhe deputetë e opozitës.

Të hënën para gjykatës do të dalë edhe Daniel Dobraj, 18-vjerçari që dyshohet se është personi që hodhi kapsollën që plagosi rëndë efektiven e policisë Ina Nuka, e dërguar në Turqi për një mjekim më të specializuar.

Gjate orëve të pasdites Lulzim Basha denoncoi në prani të banorëve dhunën që sipas tij policia ka ushtruar ndaj një 17-vjeçari, ndërsa paralajmëroi publikimin e fakteve që sipas tij faktojnë vjedhjen me projektin e Unazës.

Lulzim Basha është një prej të proceduarve nga policia bashkë me disa deputetë të opozitës. Ata akuzohen për prishje të rendit publik, grumbullim të paligjshëm dhe pengim të qarkullimit rrugor.

Tv Klan

Të ngjashme
UKT