Këtë dimër, qytetarëve të vendeve lindore të Bashkimit Europian u duhet të kursejnë shumë që të arrijnë të venë në tryezë, pjatat e preferuara për festat e fundvitit.

Konsumatorët e këtyre vendeve janë më të goditurit nga rritja e çmimeve, për shkak të sulmit rus në Ukrainë. Të dhënat e EUROSTAT e rendisin Hungarinë si vendin që pati rritjen më të lartë të çmimve, me mbi 45% brenda një viti.

Në të gjitha vendet e ish-bllokut lindor që janë tani pjesë e BE-së, ku pas Hungarisë renditen vendet baltike, Bullgaria e me radhë çmimet e ushqimeve u rritën me mbi 20% krahasuar me tetorin e vitit të kaluar, me përjashtim të Sllovenisë.

Këto vende kanë edhe varësinë më të lartë nga importet ruse të goditura nga lufta në Ukrainë, jo vetëm për ushqimet por edhe për energjinë, faktorë që ndikojnë në mënyrë zinxhir në rritjen e çmimeve për thuajse të gjitha produktet.

Kjo ka ndikuar që edhe inflacioni të jetë në nivele më të larta në vendet anëtare lindore të BE-së se në anëtarët më të hershëm perëndimorë. Vendet baltike dhe Hungaria kanë sërish edhe inflacionin më të lartë në BE, mbi 20%.  Ekspertët thonë inflacioni po përkeqësohet edhe më tej nga produktiviteti i ulët i industrisë ushqimore në disa vende ish-komuniste.

Tv Klan