Janë gjetur se kush janë autorët e egzekutimit të Fatmir Ramës apo njohur ndryshe si Miri i Xhikes. Këtë deklaratë ka bërë Ministri i Rendit Luan Rama duke folur për punën e policisë dhe strukturave të hetimit.

Luan Rama: “Rasti i shumpërfolur i Mirit të Xhikes, nuk është aq e thjeshtë sa komentohet në gojë të ndonjë qefliu për të bërë komente për gjëra që nuk i kam në dorë. Është shumë e komplikuar si skemë dhe policia, prokuroria, hetuesia, shërbimi informativ kanë informacion të nevojshëm, kanë indetifikuar egzekutorët dhe po punohet për të egzekutuar arrestin e tyre”.

Duke analizuar situatën e krijuar disa ditë më parë në Bathore, Ministri i Rendit e cilësojë si mjaft korrekt qëndrimin e Policisë së Tiranës gjatë protestës dhe përshkallëzimit të saj.

Luan Rama: “Të thuash që policia provokojë, rasti më i fundit i Bathores, kur në spital janë vetëm policë të plagosur, kur qytetarët në protestë shkojnë dhe i kërkojnë ndjesë policëve të plagosur për shkak të dhunës që u doli jashtë kontrollit të tyre, une nuk mund ta vlerësoj ndryshe përveç se papërgjegjshmëri dhe keqdashje për të hedhur benzinë në një zjarrë që është shumë i lehtë të ndizet për sa kohë që gjëndja sociale dhe problematika që ballafaqohet me këta qytetarë është e tillë që mund të manipulohet lehtë”.

Menjëherë pas ngjarjes së bathores u largua nga detyra kreu i policisë për kryeqytetin Ilirjan Zylyftari. Megjithëse largimi i Zylyftarit nga posti që mbante ishte përfolur mjaft javëve të fundit, shkarkimit të tij ju faturua dhe përplasja e policisë me turmën protestuese në Bathore. Tashmë veprimet e forcave blu në këtë ngjarje janë konsideruar profesionale dhe korrekte./tvklan.al