Një tentativë grabitje nga katër persona të armatosur dhe të maskuar ka përfunduar me një shkëmbim zjarri mes tyre dhe policisë, në Fier. Bilanci i 15 minutave luftë mes unformave blu dhe grabitësve është një i vdekur dhe një i plagosur.

Viktima dhe personi i plagosur janë të dy anëtarë të grupit që po tentonte të hynte me forcë në shtëpinë e Minella Muçi, në lagjen “29 Nëntori”.

Ka qenë vetë ai që rreth orës 3 të mëngjesit ka njoftuar policinë se dikush po hynte në shtëpi, në katin e tretë të pallatit, duke thyer drynin e derës.

Blutë kanë reaguar menjëherë, por kur shkuan në vendin e ngjarjes janë gjetur nën breshërinë e armëve të grabitësve, pistoleta e automatikë.

Policia ka reaguar dhe nga shkëmbimi i zjarrit ka mbetur i vdekur njëri prej grabitësve. Ai është identifikuar si Xhuljan Sollaku, 20 vjeç, nga fshati Katund i Ri i Elbasanit. Ndërsa i plagosuri është 33-vjeçari Arben Muça, banues në Ndroq të Tiranës, por i lindur në Pukë.

Të dy ishin të armatosur me pistoleta dhe me maska në kokë.

Nga radhët e uniformave blu nuk pati të dëmtuar.  

Dy grabitës të tjerë kanë arritur të largohen me një automjet, duke përfituar nga errësira dhe kushtet e motit.

Një makinë e dëmtuar dhe gjaku në rrugë janë gjurmët që kanë mbetur nga përplasja e armatosur. Pronarja e banesës thotë se ishin me fat që grabitësit nuk arritën të futeshin brenda.

Ndërsa banorët e pallatit tregojnë se kanë përjetuar momente tmerri.

Momente të rënda edhe në familjen e grabitësit që mbeti i vrarë. Ky është reagimi i familjarëve pasi morën vesh lajmin.

Një grup i posaçëm i prokurorisë po drejton hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa policia po punon për kapjen e dy autorëve të tjerë, të cilët dyshohet se janë nga Fieri dhe Puka. Janë sekuestruar disa kamera sigurie, por nuk bëhet e ditur nëse grabitësit janë fiksuar prej tyre.

Kjo është grabitja e dytë në një muaj që shkakton viktima në qytetit e Fierit. Më dy Mars, në një pikë të këmbimit valutor mbeti i vrarë Agur Vrenozi, i cili tentoi të ndalojë grabitësit. Pronari i biznesit u plagos, ndërsa tre autorët u arrestuan nga policia pas një ndjekje intensive.

Tv Klan