Është mesi i shtatorit, por Lumi i Shalës në malësinë e Shkodrës është i tejmbushur me vizitorë. Janë të shumtë vendasit dhe të huajt që kanë zgjedhur të shijojnë natyrën unike të kësaj zone.

Ata që shërbejnë si guida flasin për një sezon të suksesshëm dhe me prenotime që vijojnë edhe për vjeshtën.

Ajo që ka vështirësuar kohët e fundit lëvizjen e turistëve është rënia e nivelit të ujit në lumë për shkak të thatësirës së tejzgjatur.

Udhërrëfyesit kërkojnë nga autoritetet që në këtë situatë të shtojnë shkarkimet nga hidrocentrali i Komanit me qëllim rritjen e nivelit të ujit.

Lumi i Shalës është një nga destinacionet më popullore të veriut të vendit për shkak të natyrës së veçantë, ende të paprekur nga turizmi masiv.

Gjatë kësaj vere kanë qenë të shumta edhe rekomandimet e agjencive të huaja të turizmit që e kanë vendosur atë në listën e sugjerimeve për turistët që vizitojnë Shqipërinë.

Tv Klan