Vlora, një prej destinacioneve më të njohura turistike në Shqipëri, po përjeton një transformim në turizëm, i cili tashmë nuk kufizohet vetëm në muajt e verës.
Operatorët turistikë theksojnë se tashme sezoni është shtrirë gjatë gjithë vitit, me një numër të lartë vizitorësh edhe në muajin Shtator.
“Turizmi është përhapur, nuk është më turizëm veror, por është përhapur në 12 muaj viti. Vlora është duke ecur përpara, deri para pak vitesh turizëm kemi patur vetëm nga Kosova dhe Maqedonia, sot kemi nga e gjithë bota”, tha Fatjon Katiaj.
Tur-operatorët thonë se harta e turistëve nga bota është zgjeruar ndërsa ata që kryesojnë janë italianët, të ndjekur nga polakët dhe spanjollët.
“Kryesojnë italianët të ndjekur nga polakët edhe spanjollët, por nuk mungojnë këtu, francezët belgët, gjermanët. Edhe pse jemi në Shtator qendra historike e Vlorës ka më shumë të huaj se shqiptarë. Ndoshta mungon Lindja e Largët, Japonia dhe Kina dhe vende të tjera, por Europa deri në Amerikë nuk mungon”, tha Katiaj.
Qyteti i Vlorës është tashmë i njohur edhe për atraksionet kulturore dhe historike, duke tërhequr turistë nga të katër anët e globit në çdo stinë të vitit. Është zona historike e qytetit, ajo e cila tërheq çdo vit me mijëra vizitorë.
“Më pëlqen ky vend shumë. Është shumë i bukur. Të gjitha dyqanet, kafeteritë, më shumë duam të njohim pjesën historike prandaj jemi këtu sot”.
“Jemi nga Holanda, është hera e parë këtu. Ky është vendi më i bukur që kemi vizituar deri më tani.”
“Njerëzit këtu janë shumë miqësorë, ndihemi si në shtëpi. Ishte një zgjedhje shumë e mirë që të vinim këtu”.
“Është shumë bukur. Plazhet, malet, janë fantastike më pëlqejnë vendet historike dhe këtu jam mrekulluar, do t’ju them edhe miqve të mi në Francë të vijnë dhe të vizitojnë Vlorën”.
Vlora mbetet një nga destinacionet kryesore turistike të vendit, ndër më të frekuentuar.
Tv Klan