Për të kujtuar modelin e gruas që e ka udhëhequr në jetë, poetja Daniela Kortoçi ndan historinë e saj  me “Shije Shtëpie” në Tv Klan. Nëna e saj mbeti e ve në një moshë fare të re, me tre fëmijë dhe jetonte në Tropojë. Ishin vite të vështira për një grua, por ajo vendosi që të bënte më të mirën për fëmijët e saj, të edukohej  vetë për t’u mësuar shembullin e duhur.

Daniela Kortoçi: Unë jam edukuar që e vogël që të jem e fortë se duke qenë se jam rritur vetëm me mamin dhe ajo ishte modeli që jo thjesht për pavarësi ekonomike, por për të na edukuar si duhet, vazhdoi studimet e larta pasi babai im ndërroi jetë. Pra ajo me gjithë vështirësinë që kishte me dy vajza të vogla se unë isha 3 vjeçe dhe motra e porsalindur, falë mbështetjes së vëllait se ky është një element i rëndësishëm, unë jam nga Tropoja, është një qytet i vogël, ishte ’96-97, një periudhë shumë e vështirë me Shqipërinë, por ai ishte me studime për vete dhe i tha “unë do të të regjistroj në shkollë”.

Atëherë shkolla mund të bëhej me korrespondencë dhe ajo u regjistrua dhe me gjithë vështirësinë që kishte, që ushqente me gji motrën time, që unë isha 3 vjeçe me shumë pyetje ku është babai, çfarë po ndodh, ajo filloi studioi dhe u edukua për vete. Me atë model, në moshën 4-5 vjeç më merrte mua me vete që të vinte në Tiranë sepse pyetja më e madhe ishte si do shkosh ti grua e ve, kaq e re nëpër furgonë vetëm? Se atëherë ishte e vështirë edhe të udhëtoje nëpër furgonë vetëm. Sikur ku po shkon, ndërkohë që ajo po shkonte për të dhënë provimet dhe unë rrija në auditorë me të kështu që unë rrugën për dije e kam mësuar kështu./tvklan.al