Manastirliu: Tjetër marrëveshje me Pfizer për 23,400 doza vaksine


Manastirliu: Tjetër marrëveshje me Pfizer për 23,400 doza vaksine

15:34 07/07/2021

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu e ka nisur fjalën e saj në seancën e fundit të Kuvendit të Shqipërisë për këtë sezon, me një falenderim për vaksinatoret dhe të gjithë ekipin e shëndetësisë, që i’a kanë dalë të kryejnë mbi 1 milion vaksinime deri tani.

“Nuk është shifra qëllim në vetvete por janë jetë të mbrojtura nga koronavirusi dhe është garancia se, nëse vijojmë me këto ritme, jemi në rrugë të mbarë për zmbrapsjen përfundimtare të armikut të padukshëm”, tha Manastirliu.

Në fjalën e saj Manastirliu tha se përpjekjet e qeverisë shqiptare vijojnë për të siguruar të gjitha vaksinat e nevojshme, për t’i dhënë mundësinë çdo qytetari për t’u vaksinuar.

“Ne presim shumë shpejt, gjatë muajve korrik-gusht mbi 400 mijë doza të vaksinave që do të mbërrijnë në kuadër të kontratave ekzistuese. Ndërkaq me aktin që miratojmë sot në Kuvend, do të bëjmë të mundur që të vijnë edhe 23,400 doza të vaksinës Pfizer, si pjesë e instrumentit Covax, ku Shqipëria është pjesë që në krye të herës”, bëri me dije Manastirliu.

Duke shprehur angazhimin e gjithe ekipit të shëndetësisë për të vijuar me vaksinimin masiv, Manastirliu tha se përmes njësive të lëvizshme të vaksinatorëve, do të shkohet në çdo komunitet, për të rritur mbrojtjen për qytetarët.

“Ne jemi të organizuar për të shkuar derë më derë, në çdo komunitet ku ka ende xhepa të pambuluar të të vaksinuarve, me programin tonë të vaksinimit me njësitë e lëvizshme tashmë, për të targetuar grupet vulnerabël, për të shmangur shpërthimet epidemike dhe për të rritur mbrojtjen për qytetarët, duke i vaksinuar kundër Covid19”, tha Manastirliu. /tvklan.al






Të ngjashme