Humbja me Liverpool në kampionat ishte e tepërt për Jose Mourinhon. Manchester United njoftoi paraditen e së martës se portugezi nuk është më trajneri i ekipit.

Sipas mediave angleze Jose Mourinho është shkarkuar pas një sezoni të dobët me skuadrën që është jashtë zonës së Champions League. Në një komunikatë të shkurtër prej 65 fjalësh klubi i njohur anglez falenderoi Mourinhon për kontributin, ndërsa tha se do të vendoset një trajner provizor deri në fund të këtij sezoni ku përflitet Michael Carrick, i cili është pjesë e stafit aktual.

Njëkohësisht te Manchester United do të nisin punën për teknikun që do të marrë drejtimin e skuadrës së parë nga sezoni i ardhshëm. Emrat më të kuotuar janë Zinedine Zidane dhe Mauricio Pochettino. Jose Mourinho mori drejtimin e Manchester United në maj të 2016, duke fituar gjatë kësaj periudhe Kupën e Ligës, Community Shield dhe Europa League, por jo kampionatin në Angli.

Tv Klan