Manovrimi i vështirë i Turqisë mes krizës Rusi-Ukrainë





Manovrimi i vështirë i Turqisë mes krizës Rusi-Ukrainë

23:23 10/12/2021

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka mundur të ruajë deri më tani marrëdhënie të mira me homologun e tij ukrainas dhe atë rus. Por, siç njofton nga Stambolli korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones, tashmë analistët paralajmërojnë se tensionet në rritje mes Rusisë dhe Ukrainës mund t’i japin fund këtij ekuilibri delikat.

Ndërsa rriten tensionet mes Ukrainës dhe Rusisë, Turqia e gjen veten në mes.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka kultivuar marrëdhënie të ngushta me homologët e tij ukrainas dhe rus.

“Turqia ka krijuar marrëdhënie të ngushta me Rusinë në rajone të ndryshme të Turqisë. Por që nga pavarësia e saj, Ukraina është bërë një nga aleatët më të ngushtë të Turqisë. Nëse do të ketë konflikt, Turqia do ta ketë shumë të vështirë të mos pozicionohet”, i tha Zërit të Amerikës Mustafa Aydin, profesor në Universitetin Kadir Has.

Duke përmendur marrëdhëniet e mira, zoti Erdogan ka ofruar të ndërmjetësojë ndërmjet Kievit dhe Moskës, një lëvizje kjo e mirëpritur nga Kievi. Megjithatë, një zëdhënëse e ministrisë së jashtme ruse e refuzoi ofertën.

Disa analistë thonë se Moska nuk do t’i dëmtonte marrëdhëniet e saj të ngushta me Ankaranë. Ata thonë se Rusia e vlerëson këtë marrëdhënie, në veçanti pasi Turqia është një vend anëtar i NATO-s.

“Për Rusinë është prioritet të thellojë ndasitë në komunitetin e NATO-s. Turqia është shumë e rëndësishme për Rusinë dhe duke thelluar kontaktet me Ankaranë, Rusia thellon përçarjet brenda NATO-s”, i tha Zërit të Amerikës Zaur Gasimov, profesor i Universitetit të Bonit.

Por durimi i Moskës me Ankaranë mund të jetë duke u pakësuar.

Vendimi rishtazi i Turqisë për të lejuar një luftanije amerikane të kalojë përmes ngushticës së Bosforit për të marrë pjesë në një stërvitje detare NATO – Ukrainë në muajin prill u kritikua menjëherë nga Presidenti rus Vladimir Putin.

Moska kritikoi gjithashtu Turqinë për shitjet e vazhdueshme të dronëve ushtarakë për Ukrainën, që Kievi i përdori rishtazi ndaj forcave separatiste të mbështetura nga Rusia.

“Rusia do të donte ta shikonte Turqinë të shkëputej nga NATO në këtë konflikt. Prandaj, ekzistenca e mbështetjes turke për Ukrainën do të ishte një shqetësim kryesor për vendimmarrësit rusë”, thotë Arda Mevlutoglu, analist për mbrojtjen.

Turqia mbështetet së tepërmi tek energjia ruse dhe bashkëpunimi rus në zonat e nxehta, përfshirë Sirinë. Ankaraja është pra e ndërgjegjshme se nëse mbështet partnerët e NATO-s, Moska mund t’i vendosë një çmim të lartë./VOA













Të ngjashme