Filipçe: Mos blini ilaçe pa rekomandimin e mjekut

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe ka bërë thirrje që qytetarët të mos blejnë ilaçe që nuk janë të dëshmuar se ndihmojnë në mjekimin e COVID-19. Thirrjet e këtilla vijnë në kohën kur përmes internetit, në mënyrë të jashtëligjshme, shiten ilaçet “Remdesivir” dhe “Favira”.

Ilaçi “Favira” tashmë gjendet nëpër farmacitë e Maqedonisë së Veriut kurse kushton 4.300 denarë apo pak më shumë se 70 Euro. Ministri Filipçe tha se nuk ka një ilaç kundër COVID-19, duke u bërë thirrje qytetarëve që për terapinë anti-covid të konsultohen me mjekët.

“As ilaçi i parë e as i dyti nuk janë dëshmuar se në mënyrë specifike ndihmojnë për shërimin e kësaj sëmundje. Këto janë ilaçe të dëshmuara se ndihmojnë në disa sëmundje dhe situate të tjera dhe nuk mund të japim ilaçe që nuk ndihmojnë në diagnozën e plotë. Të gjithë e dimë se një ilaç të veçantë dhe specifik për këtë sëmundje, nuk ka”.   

Në kohën kur autoritetet shëndetësore të Maqedonisë së Veriut janë duke përgatitur terrenin për vaksinimin e popullatës, shifrat me COVID-19 vazhdojnë të jenë të larta e shqetësuese.

Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, nga e hëna deri të premten janë shënuar 4820 raste të reja dhe 146 viktima. Shkupi, Tetova, Gostivari dhe Prilepi janë qytetet që kanë të regjistruar më shumë raste aktive. 

Klan Macedonia