Maqedonia hap kufirin me Kosovën



Maqedonia hap kufirin me Kosovën

19:20 12/10/2020

Heqja e tamponit, dyndje në pikën kufitare

“Jemi në pikën kufitare në Bllacë dhe siç po e shihni numri i veturave të cilët kanë marrë rrugën për në Kosovë, është mjaft i lartë”.

Me maska në fytyrë, por pa teste PCR, shtetasit e Maqedonisë së Veriut në numër të madh sot janë nisur për në Kosovë.

Kolona sa e gjatë deri në pikën kufitare “Bllacë”, po aq shtrihej edhe në të gjithë zonën mes dy kufinjve të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Objektivi i kamerës tonë përveç kolonave të gjata, kapi edhe udhëtarët që me padurim prisnin të shkojnë për vizita tek të afërmit e tyre në Kosovë.

Disa e cilësojnë këtë vendim të vonuar, të tjerët mjaft të kënaqur që do të takohen me familjarët e tyre pas sa kohësh, ndërsa disa prej tyre, madje theksojnë se po shkojnë në shtëpinë e tyre, pasi Kosovën e cilësojnë si të tillë. 

“E kena prit shumë, jam t’u shku në Prizren. Te gjyshja, te nana e shoqes”.

“Është vonu Maqedonia me hap kufirin, kufiri është dashur të hapet më herët, po ndihemi mirë. Ne ishim në Shkup, po kthehemi në Kosovë”.

“Shumë mirë, shumë mirë, ka pritje por është mirë”.

“Më ndjenjë të mirë nuk ka. Motrën do ta shoh, është e martuar, ka katër muaj që s’e kemi pare”.

“Shumë e mirë, ne shkojmë në shtëpinë tonë. Kosova është shtëpia jonë. Krejt familjen e kemi në Kosovë, shkojm në Kosovë për bashkim familjar, si të them”.

Komandanti i pikës kufitare në Bllacë, Besim Asani tha se për dallim prej ditëve të tjera ku numri i udhëtarëve arrinte vetëm deri në 300, sot ky numër, që pas mesnate e deri në orën 11:00 ka arritur në rreth 4000.

“Kemi vërejtur një lëvizje të shtuar të qytetarëve në dalje, poashtu edhe në hyrje të shtetit, mirëpo siç e dini sot në shtetin tonë është një ditë jo pune, ndërsa qytetarët tanë kanë shfrytëzuar këtë ditë me një numër më të shtuar janë duke dalë nga shteti për të vizituar Republikën e Kosovës. Që nga mesnata deri në orën 11:00 kemi vërejtur hyrje dhe dalje nga shteti, gjithsej 3710 udhëtarë, të cilët 2120 udhëtarë shtetas të RMV-së, ndërsa 1590 kemi qytetarë të huaj, prej të cilëve 976 janë qytetarë të Republikës së Kosovës”.

Edhe pse u paralajmërua hapja e kufinjve edhe me shtetet tjera, qeveria mbrëmë vonë informoi se në përputhje me përkeqësimin e situatës me pandeminë COVID-19 në rajon dhe numrin e madh të rasteve të reja pozitive, hyrja e shtetasve maqedonas në Serbi, Mal të Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovinë nuk do të lejohet pa test negativ PCR i cili nuk është më i vjetër se 48 orë nga momenti i hyrjes në këto vende.

Shtetasit e rajonit mund të hyjnë në Maqedoninë e Veriut, megjithatë ekipi i Klan Maqedoni, në pikën kufitare “Tabanovc” regjistroi pamje ku numri i hyrjeve ishte mjaft i ulët.

Qeveria dhe autoritetet shëndetësore, në përputhje me situatën e re epidemiologjike në rajon, në ditët në vijim do të rishikojnë vendimin për hyrjen e shtetasve të Kosovës, Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovinës në Maqedoninë e Veriut, pa PCR test.

Tv Klan




Të ngjashme