Qeveria: Do të marrim 800 mijë doza

Gazetarët edhe sot e parashtruan pyetjen se kur do të arrijnë vaksinat e para kundër virusit korona në Maqedoninë e Veriut, por nga zëdhënësi i qeverisë morën përgjigjen tashmë të njohur, për 800 mijë dozat e para përmes mekanizmit Covax, pa detaje precize.

“Vendet nga rajoni dhe nga Evropa kanë aplikuar në atë mekanizëm dhe ai është njëra nga mënyrat për qasje te vaksinat. Vaksinën Sputnik do ta marrin pikërisht përmes këtij mekanizmi. Në raport me vaksinat që duhet të arrijnë nga Bullgaria duke pasur parasysh se bëhet fjalë për donacion që duhet ta marrim, duhet të ndahet sasi e caktuar nga ajo që ky shtet do ta marrë”, tha zëdhënësi i qeverisë maqedonase.

Arsovski theksoi se Qeveria pret fleksibilitet nga bankat, të cilat deri të premten, kur përdundoi afati zyrtar, nuk arritën që të hapin llogari për të gjithë qytetarët që presin ta marrin ndihmën shtetërore prej 6000 denarëve për lehtësimin e pasojave nga kriza korona.

“Qeveria pret tolerancë prej tyre në ditët në vijim, derisa plotësisht të përfundojë pagesa, sepse bëhet fjalë për kategori të qytetarëve që janë të prekur nga kriza e shkaktuar nga pandemia”.

Bonusin e paralajmëruar si duket do ta marrin edhe punëtorët shëndetësorë që janë të përfshirë në qendrat Covid në Maqedoninë e Veriut.

“Të gjithë punëtorët shëndetësorë që janë të angazhuar në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë në të gjitha qendrat Covid do të marrin ndihmë. Ky është vendim dhe Ministria e Shëndetësisë është në komunikim me të gjithë drejtorët e qendrave shëndetësore dhe institucioneve”.

Zëdhënësit e qeverisë sot paralajmëruan se janë miratuar rreth 35 milionë Euro për 75 komuna në vend, me të cilat do të fillojë ndërtimi i qindra projekteve infrastrukturore në varësi të nevojave të mjediseve lokale – si rrjetet e ujësjellësit dhe të kanalizimit, rikonstruktimi i shkollave dhe çerdheve, rrugëve dhe rezervuarëve.

Klan Macedonia