meta marokNë vijim të vizitës së tij në Marok, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u prit nga Kryeministri Abdelilah Benkirane.

Të dy personalitet shprehën vlerësimin për marrëdhëniet bilaterale mes vendeve si dhe nevojën e bashkëpunimit në planin euro-mesdhetar, jo vetëm në funksion të paqes dhe stabilitetit, por edhe në shërbim të rritjes së mirëqënies dhe zhvillimit ekonomik të të dy popujve.

Meta propozoi përshpejtimin e finalizimit të marrëveshjeve në proces, veçanërisht në drejtim të lehtësimit të vizave, nxitjes së investimeve dhe eliminimin e taksimit të dyfishtë.

Ilir Meta- Kryetar i Kuvendit: “Ne ramë dakord që të vazhdojmë procesin e lehtësimit të vizave dhe të vijojmë me heqjen e taksës së dyfishtë dhe marrëveshjen për mbrojtjen dhe promovimin e investimeve që do të ndihmojnë në rritjen e mëtejshme të shkëmbimet ekonomike, njerëzore, tregtare dhe marrëdhëniet mes dy vendeve tona”.

Në vizitën e tij në Marok, kreu i Kuvendit u takua edhe me Ministrin e Jashtëm. Meta bëri të qartë  kërkesën e Shqipërisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Mbretëria e Marokut, si një realitet të pakthyeshëm që njihet prej 110 shteteve anëtare të OKB-së.

Dy bashkëbiseduesit ndanë përqasje të ngjashme mbi luftën ndaj terrorizmit, sigurisë dhe forcimit të paqes.

Tv Klan