Rama: Mundësi për studentët që të mësojnë nga Shqipëria

Universiteti Bujqësor i Tiranës dhe ai shtetëror i Miçiganit do të bashkëpunojnë mes tyre për t’u krijuar mundësi studentëve shqiptarë që të mund të mësojnë sipas kushteve dhe programeve amerikane duke qendruar në Shqipëri.

I pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së mirëkuptimit mes Ministrisë së Arsimit dhe Universitetit Shtetëror të Miçiganit, kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama  tha se kjo hap një rrugë të re bashkëpunimi jo vetëm për Universitetin Bujqësor.

“Ne presim që në fillim të vitit të ardhshëm të kemi një vizitë pune për të parë si do të ecim më tej në mënyrë që ti japim një forcë të re universitetit tonë të Bujqësor, por jo vetëm dhe të krijojmë një tjetër hapësirë për studentët tanë që të qëndrojnë në Shqipëri dhe të studiojnë me kushtet dhe cilësinë më të lartë që ofrojnë universitetet e huaja, përfshirë edhe atë të Miçiganit”.

Ai nënvizoi faktin se ky bashkëpunim nisi falë kontributit që kanë dhënë profesorët afganë të këtij universiteti që janë strehuar në Shqipëri.

“Kjo është një miqësi që lindi nga një tjetër miqësi mes Universitetit të Miçiganit dhe profesorëve të këtij Universiteti në Afganistan, të cilët ne i kemi strehuar në Shqipëri. Në këtë mënyrë kemi hapur një derë të re me miq dhe partnerë të rinj që do të sjellin në Shqipëri më shumë dije dhe më shumë mundësi për të rinjtë tanë”.

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ftuar nga ish-Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton.

Tv Klan