Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD, Edi Paloka bën një propozim për zgjidhjen e ngërçit për thirrjen e Kuvendit Kombëtar për të cilin janë dorëzuar firmat e më shumë se 4200 anëtarëve në zyrën e tij. Paloka thotë se të dyja palët mund të zgjedhin një përfaqësues që të verifikojë formularët e dorëzuar.

“Do i propozoja dhe i kam propozuar palëve një zgjidhje që të ishte shteruese dhe të hiqte çdo dyshim që ka mes palëve. Statuti nuk parashikon asnjë procedurë. Unë do i propozoja palëve të caktonin nga një person që mund të ishin për njërën palë personi që merrej me problemet e zgjedhjeve, për njërën palë Ivi Kaso, e nga ana tjetër mund të ishte Minarolli që merret me këtë çështje në sekretariat”.

Paloka thotë se këta persona mund të verifikojnë formularët për të hequr çdo dyshim për firmat.

“Le të vijnë të ulen nga një përfaqësues të marrin fletët dhe të verifikojnë. Nëse thonë nuk duam, i bie që nuk duan. Nëse janë mbledhur 4.200 firma të delegatëve dhe thuhet nuk e njoh Kuvendin, këtu nuk ka fjalë për komente”.

Dorëzimi i firmave në zyrën e kreut të këshillit kombëtar u konsiderua në shkelje të statutit nga kryetari Basha ndërsa mbështetësit e ish-kryeministrit Berisha thanë se verifikimin e tyre mund ta bëjë vetëm Kuvendi Kombëtar.

Tv Klan