Është mbledhur paraditen e sotme Komiteti Kombëtar i Rindërtimit.

Kryeministri Rama tha se ka pasur një takim me arkitektë shqiptarë për ndërtimin e 3 lagjeve në Durrës, Tiranë dhe në Laç për strehimin e të prekurve nga tërmeti i 26 nëntorit.

Rama tha se angazhimi është që për të gjithë ata që jetojnë ende në çadra të hyjnë në banesa të reja brenda vitit 2020 ndërsa lagjet e reja të fillojnë brenda 6 mujorit të parë të vitit të ardhshëm.

Kreu i qeverisë kërkoi transparencë maksimale për donacionet ndërsa tha se ato do të rriten edhe me tej për shkak të konferencës që do të mbahet vitin e ardhshëm në Tiranë.

Ndërsa ministri Blendi Çuçi bëri një bilanc të dëmeve dhe strehimit të banorëve. Ai tha se janë rreth 10 mijë persona që jetojnë ende në çadra ndërsa 3600 të tjerë janë strehuar në hotele.

Nga 39 mijë e 300 objekte që janë verifikuar 3580 janë shpallur të pabanueshëm në Durrës nga të cilat 72 janë shembur. Ministri i Shtetit për Rindërtimit, Arben Ahmetaj tha se fillimi i Prillit parashikohet të jetë fillimi i ndërtimit masiv në territor.

Tv Klan