Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka takuar qytetarë  të ndryshëm të Tiranës.

I pajisur me maskë dhe siç duket nëpër foto duke përplasur bërrylin me banorët e Tiranës, kreu i opozitës thotë se pjesa më e madhe e tyre i ka respektuar rregullat e higjienës dhe distancimit social.

Megjithatë shqetësim sipas tij është situata ekonomike e rënduar nga pandemia e Covid-19. Lulzim Basha shprehet se ka shumë qytetarë  që nuk kanë marrë ndihma në para për kohën e kaluar mbyllur në shtëpi.

“Edhe bizneset përballen me vështirësi të mëdha. Mungesa e ndihmës rrezikon mbylljen e shumë prej tyre ndërsa të shumtë janë dhe ata që janë detyruar të heqin të punësuar nga listpagesat”.

Për këtë akuzon qeverinë Rama. Sipas Bahsës, rinisja e aktivitetit normal ekonomik tashmë është shumë e vështirë. Shkak për këtë janë faturat dhe taksat e larta dhe përveç kësaj edhe ulja e numrit  të blerësve.

“Xhepat e shqiptarëve janë shkundur nga pandemia ekonomike e qeverisë Rama. Asnjë formë propagande dhe cirku qeveritar nuk e fsheh dot pasigurinë dhe varfërinë e tejskajshme që po pllakos në familjet shqiptare”./tvklan.al