“Shpëtova gruan dhe një fëmijë, por jo vajzën time”

Haxhi Kabili, 52-vjeçari që u bë i njohur një ditë më parë, vetëm pak çaste pas tërmetit ku kërkonte i dëshpëruar nxjerrjen e së bijës nga rrënojat është rikthyer në Thumanë. Pasi mori mjekim në spitalin e Kurbini, tashmë nga çadrat e emergjencave civile, Kabili kërkon sërish ndihmën e grupeve të shpëtimit për nxjerrjen e Aderinës, 21 vjeç, nga gërmadhat e pallatit pesë katësh.

Çfarë ndodhi, mund të na rrëfeni momentet e tërmetit, si arritët të dilnit? Se ju keni edhe bashkëshorten në gjendje të rëndë.

Në momentin që ka rënë një tërmet para atij të madhit, sepse ka rënë dy-tre herë tërmet, unë jam ngritur dhe kam ndenjur zgjuar në divan, i veshur.

Kishit frikës se mund të ndodhte një tërmet tjetër?

Unë, se edhe kisha ftohtë… në momentin që filluar tërmeti i madh nuk mbaj mend, vetëm mbaj mend që jam ngritur, kam hapur derën, i kam thërritur vajzës, i kam thërritur gruas. Kur kam hapur derën e dhomës ka përfunduar gjithçka.

Kur ke hapur derën e dhomës?

Të kuzhinës.

Aderina ishte në dhomë më vete?

Po në dhomë të kuzhinës.

Po bashkëshortja në dhomë të gjumit?

Po, në dhomë të gjumit.

Kur vetë u zgjuar,  a tentuat t’i zgjonit nga gjumi bashkëshorten dhe Aderinën?

I kam zgjuar. Gruan e zgjova, u çua dhe shkoi dhe fjeti prap. Ndërsa vajza nuk lëvizi, u përgjigj përgjumur… Unë kam mbetur brenda në rrënoja, me dorën time kam pastruar tullat e beton çfarë kanë qenë dhe kam arritur të dal.

Sepse ngelët brenda?

Kam ngelur brenda unë. Kur kam dalë kam gjetur gruan në fund të rrënojave, të mbuluar pjesërisht me tulla, beton. Kam nxjerrë gruan, kam nxjerrë edhe një fëmijë të një komshiu.

Po fëmija ishte i bllokuar edhe ai?

Ai kishte qenë komplet nën rrënojë. U bëmë 4-5 veta dhe hiqnim materialet dhe e kemi nxjerrë gjallë. Ai është mirë mesa di unë.

Pra ju keni shpëtuar veten dhe dy persona të tjerë, bashkëshorten tuaj dhe një fëmijë të një komshiu. Po për vajzës çfarë bëtë?

Vajzën kam thërritur, kam parë. Nga vështirësia që kam pasur u detyrova të marr ambulancën të më çonte në spital. Tani unë pres vajzën që të dalë nga rrënojat, të jetë gjallë, a të jetë vdekur, sido që të jetë.

Mund të na rrëfeni pak për Aderinën?

Aderina ka qenë në punë, në fabrikën e këpucëve. Më mirë të kisha vdekur unë se Aderina.

Bashkëshortja juaj e di për vajzën që…

Jo nuk e di, nuk ia kemi thënë.

E kërkon?

E kërkon./tvklan.al