Në 5-vjetorin e ndarjes nga jeta të ikonës së humorit shqiptar, Skënder Sallaku, Bashkia e Tiranës u dha familjarëve medaljen e mirënjohjes.

“Vërtet Skënderi s’është me ne sot, por për ne që jemi rritur, brezi im, ndoshta i fundit që e mban mend me gjithë atë energji, është frymëzim, se njeriu nuk ka nevojë me qenë i pasur, i pushtetshëm, por duhet dashuri, kënaqësi, edhe për t’i dhënë qytetit një energji kaq të bukur siç i dha ai. Dua t’ua jap këtë medalje në shenjë mirënjohje për gjithë kontributin, po jo vetëm të tij, por të gjithë familjes.”

Kryebashkiaku Veliaj tha se një nga rrugët e kryeqytetit do të mbajë shumë shpejt emrin e aktorit të humorit Skënder Sallaku.

“Doja shumë që t’iu jepja lajmin e mirë se një nga rrugët e Selvisë, aty ku ai është rritur, ku e njohin si të lagjes, do të mbajë emrin e tij. Më vjen mirë që ka qenë pjesë e një procesi ku po mundohemi që emërtimet e rrugëve apo shkollave t’i bëjmë për njerëz që na japin shumë krenari, që na kanë dhënë shumë gëzim në jetën tonë.”

Skënder Sallaku është vlerësuar me titujt “Artist i Merituar”, “Artist i Popullit” dhe “Mirënjohja e Qytetit të Tiranës”.

Tv Klan