“Do të jepja gjithçka që ky të jetë botërori i tij.”

Këto janë fjalët e nënës së Lionel Messit. Ajo dhe familjarët mbështesin yllin argjentinas, paraqitja e të cilit në këtë nisje të botërorit është shoqëruar me kritika.

“Ëndrra e tij është të ngrejë kupën dhe të fitojë botërorin.”

Ndoshta Celia Maria Cuccittini është njeriu që e njeh më mirë nga të gjithë Lionel Messin. Ajo tregon se e gjithë familja është lënduar kur ndaj tij kishte kritika se shkonte në kombëtare i detyruar dhe se nuk e kishte ndjenjën e përkatësisë.

“Ai është i pari që kërkon të fitojë. Po ta kishin parë siç e kemi parë ne, duke vuajtur dhe duke qarë për kombëtaren këto kritika nuk do të ishin.”

Këshilla e nënës për Messin.

“Bëj atë çka di të bësh më mirë. Luaj si atëherë kur e nise futbollin. Jetoje momentin dhe përfito nga kjo mundësi.”

Nëse nga një anë kritikohet janë të shumtë ata që e vlerësojnë, madje edhe rivalët më të ashpër. Sergio Ramos tha një ditë më parë se Leo Messi është lojtari më i mirë argjentinas i të gjitha kohërave dhe se Maradona është vite dritë pas tij.

Por çdo të bëjë mbrëmjen e sotme Messi dhe Argjentina përballë Kroacisë. Ballkanasit kryesojnë grupin ndërsa Argjentina ka vetëm një pikë pas barazimit me Islandën. Pritshmëritë janë të mëdha ndaj tij, aq më tepër që rivali në planin individual, Cristiano Ronaldo shënoi 4 gola në dy takimet e para.

Tv Klan