Udhëtimet ajrore vetëm me vendet ku lejohet lëvizja


Duke nisur nga e hëna e ardhshme Shqipëria do të rinisë fluturimet ajrore me të gjitha vendet ku lejohet lëvizja. Njoftimi zyrtar u bë i ditur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, sipas së cilës fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit do të kryhen nën masa të rrepta sigurie për të frenuar përhapjen e Covid – 19.

 Vendimi u mor pas rekomandimit të dhënë nga Komisioni Evropian për të hequr kufizimet e udhëtimit me Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit nga data 1 korrik. 

Kështu, përgjatë javës që nis nga 22 qershori, operatorët e transportit ajror në Rinas duhet të marrin masa për të mundësuar rezervimin e fluturimeve sipas skedulimit për vetëm për vendet ku lejohet lëvizja.

Nga shoqëritë ajrore kërkohet zbatimi i protokollit të sigurisë për të garantuar shëndetin e udhëtarëve. Po ashtu ata do të jenë përgjegjës për të informuar pasagjerët rreth kufizimeve të mundshme për fluturimet nga Rinasi drejt destinacionit të synuar. Ndërkaq përgjegjës për monitorimin e këtyre masave është Autoriteti i Aviacionit Civil.

Tv Klan