Mijëra tifozë të Boca Juniors mbushën rrugët e Buenos Aires duke përcjellë skuadrën e tyre për në Madrid, aty ku do të luhet ndeshja e dytë dhe finale e Copa Libertadores, kundër rivalëve të përjetshëm të të njëjtit qytet, River Plate.

“Kemi ardhur për t’u dhënë kurajë lojtarëve, t’i kërkojmë atyre të fitojnë të shtunën dhe t’i themi se jemi me ta dhe nuk do t’i lemë vetëm”.

Nisja e menjëhershme e skuadrës për në Spanjë erdhi pas një njoftimi për bombë në stadiumin La Bombonera. Policia evakuoi publikun dhe verifikoi më pas se kërcënimi ishte i rremë. Ndeshja e dytë e finales së Copa Libertadores u shty për shkak se tifozët e River sulmuan autobusin e lojtarëve të Boca në momentin e mbërritjes në stadiumin Monumental duke lënduar disa lojtarë.

Ndeshja mes këtyre skuadrave që do të vendosë edhe fituesin e trofeut do të luhet në stadiumin Santiago Bernabeu të Madridit më 9 Dhjetor. Ky takim mori rëndësi tejet të madhe pasi ndeshja e parë përfundoi barazim 2-2. Për sfidën e Bernabeut ku do të jenë si spektatorë Messi, Ronaldo dhe shumë yje të futbollit, njoftohet se janë shitur të gjithë biletat dhe tashmë çmimi i tyre është rritur disa herë në tregun e zi.

Tv Klan