Ekranet me prekje janë sipërfaqet më të ndotura që njerëzit kanë kontakt çdo ditë. Megjithatë, vetitë antimikrobike të bakrit mund ta ndryshojnë këtë.

Shkencëtarët nga Instituti i Shkencave Fotonike në Spanjë dhe Corning Incorporated kanë krijuar një sipërfaqe transparente antimikrobike për ekranet me prekje duke përdorur pjesëza shumë të vogla bakri.

Bakri njihet si shumë efektiv për vrasjen e mikroorganizmave të ndryshëm dhe është përdorur vazhdimisht për dorezat e dyerve apo kornizat e shtretërve të spitaleve. Është i dukshëm dhe shumë përcjellës ndaj nuk është shumë i përshtatshëm për t’u përdorur te ekranet.

Shkencëtarët kanë dizenjuar një “sipërfaqe transparente me nanostrukturë bakri” që nuk është përcjellëse dhe është rezistente ndaj rritjes së disa baktereve.

Fillimisht ata derdhën një film të hollë bakri mbi një substrat xhami dhe më pas e nxehën në një temperaturë shumë të lartë përpara se ta ftohnin. Kjo bëri që filmi të vendosej në pjesëzat e shpërndara të bakrit duke rezultuar në një “efekt antimikrobik, tejdukshmëri, neutralitet ngjyre dhe izolim elektrik”.

Shtresat me dioksid silikoni dhe fluorosilant u mbivendosën te bakri për të mbrojtur mjedisin dhe shtuar rezistencën. Testet e mëtejshme të zhvilluara në kushte atmosferike shumë të thata treguan që ekrani eliminonte 99.9% të bakterit Staphylococcus Aureus në vetëm dy orë.

Kërkimi u publikua në Communications Materials.