Licencat e dhëna për mjetet lundruese që operojnë në vijën bregdetare shqiptare do futen në një kontroll të thelluar.
Nga Saranda ku ndoqi nga afër punën e strukturave të policisë së rendit dhe kufirit, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ngriti shqetësimin për zbatimin e rregullave nga përdoruesit e mjeteve lundruese.
“Nuk mund të kemi njësi matëse dhe licenca të dhëna, njësoj, për operatorë, që kanë ‘hobby’ lundrimin dhe ndaj operatorëve, që kanë përgjegjësi më të madhe në lundrim dhe marrin pasagjerë me mjete më të mëdha. Kam konstatuar, në raste të caktuara, që korridoret dhe vijat bregdetare të përcaktuara për ndalimin dhe zbritjen e pasagjerëve të mjeteve që lundrojnë, nuk respektohen plotësisht”.
Ndotja akustike ishte një tjetër problematikë që u prek nga ministri i Brendshëm gjatë inspektimit në Sarandë.
“Nga pikëpamja e rendit dhe sigurisë publike duhet të ushtrojmë kontrolle shumë të shpeshta, të respektojnë parametrat e mbylljes së muzikës në oraret e përcaktuara në ligj, sepse pas këtyre orareve nuk do të lejohet askush”.
Nga nisja e sezonit turistik veror në Sarandë janë konstatuar 7 raste të ndotjes akustike pas orës 12:00 të natës, ku drejtuesit e subjekteve krahas procedimit në gjendje të lirë u janë sekuestruar pajisjet muzikore.
Tv Klan