Ministrja e Jashtme e Finlandës, Elina Valtonen, ka shprehur mbështetjen e Finlandës për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Gjatë vizitës së saj në Tiranë ku u prit nga homologu Igli Hasani, ministrja finlandeze theksoi rëndësinë e përforcimit të lidhjeve politike dhe ekonomike të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor.

Ministrja Valtonen vlerësoi gjithashtu edhe rolin që dy vendet kanë në NATO si shtete partnere.

“Është një nder që të jem këtu sot dhe ju falenderoj për mikëpritjen. Ky është takimi ynë i dytë. Vizita ime sot patjetër që mbulon çështjet bilaterale dhe patjetër integrimin e ardhshëm të Shqipërisë në BE. Marrëdhëniet tona dypalëshe janë të mrekullueshme, nuk kemi asnjë çështje pezull, dëshirojmë ta përforcojmë këtë bashkëpunim në fushën e ekonomisë. Si aleatë në NATO do të fokusohemi të siguria dhe presim të kemi mundësi të tjera në të ardhmen, të mbulojmë fusha të tilla si energjia e rinovueshme, të kemi bashkëpunim midis komuniteteve tona, kemi perspektivë të shkëlqyer në mënyrë të veçantë për rininë e të dyja vendeve tona. Ballkani Perëndimor është në zemër të Europës dhe në situatë aktuale ne kemi nevojë që të punojmë në mënyrën akoma më intensive së bashku. Bashkimi Europian dhe Ballkani Perëndimor duhet të përforcojnë lidhjet e tyre. Siguria është mjaft e rëndësishme”, u shpreh ministrja e Jashtme e Finlandës.

/tvklan.al