Demokratët u ulën në tryezën e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin me një dosje që sipas tyre provonte akuzat në adresë të deputetit socialist Vullnet Sinaj.

Sipas opozitës, Sinaj ka përfituar përmes 9 kompanive të tij në pronësi dhe 5 të tjerave si aksioner kryesor, para nga buxheti i shtetit në kundërshti me Kushtetutën.

“Këto fakte, janë konfirmuar zyrtarisht edhe nga Ministria e Financave dhe Drejtoria e Thesarit. Nëpërmjet kompanive të tij në vetëm 9 transaksione që ne kemi evidentuar mund të jenë edhe shumë më shumë, ka përfituar nga buxheti i shtetit rreth 36 mijë Euro. Në këto kushte ai është në shkelje të Kushtetutës, konkretisht të nenit 70, pika 3”, deklaroi Gazment Bardhi.

Por teksa pakica i kërkon heqjen e mandatit të deputetit, Sinaj mohoi të ishte përfitues i fondeve publike, duke deklaruar se jo vetëm pagën e deputetit, por edhe pasurinë e tij të siguruar përpara se të ishte deputet e kishte vënë në shërbim të njerëzve në nevojë.

“32 milionë janë rimbursime të tatim-fitimit dhe tvsh nga disa biznese që kanë shkuar në likuiditet. Kjo është me ligj. Këto janë lekë të biznesit dhe jo të buxhetit. Rrogën time të deputetit e kam bërë donacion për njerëzit në nevojë. Më vjen keq për Bardhin që është lodhur kaq shumë që marrë informacion nga thesari, si nuk gjeti 100 milionë Lekë të mija të dhuruara për buxhetin e shtetit në situatën e tërmetit”.

Për kolegët e tij të mazhorancës pretendimet e opozitës janë fyese dhe të pabazuara në dokumente, pasi sipas tyre, Sinaj është verifikuar të paktën 10 herë nga ILDKP dhe Kuvendi.

Për t’u njohur me akuzat e ngritura lidhur me mjetet higjenike apo ushqime që institucionet shtetërore i kanë blerë në marketet që janë në pronësi të Sinajt, ky i fundit kërkoi kohë që të njihej me dosjen e opozitës.


Pjesë nga diskutimi në Këshillin e Mandateve:

Gazment Bardhi: Deputetit nuk i lejohet të jetë aksioner aktiv në një kompani apo shoqëri tregtare, e keni përmbushur këtë detyrim. Kur keni emëruar personin e besuar, fakti që keni caktuar një person të besuar, keni kaluar në aksioner pasiv.

Vullnet Sinaj: Kur kanë kaluar kuotat nga një person në një tjetër, unë kam qenë në kuota pasive dhe nuk mund të urdhëroja askënd. Ai person detyrohet të zbatojë ligjin për konfliktin e interesit.

Klotilda Bushka: Të verifikohen kushtet për zhvillimin e mocionit.

Vullnet Sinaj: Biznesi ku jam me kuota pasive ka shkuar në gjykatë dhe ka fituar të drejtën e vet. Unë vetëm kam dhuruar dhe prisja të më falenderonit, të më thonit aq shumë sa i ke dhuruar ti buxhetit të shtetit…

Bledi Çuçi – Gazment Bardhit: Sa Lekë ka përfituar Sinaj nga këto transaksione?

Gazment Bardhi: Shuma e përmbledhur e përfituar nga këto transaksione është 36 milionë e 898 mijë Lekë të vjetra.

Bledi Çuçi: Kjo shumë është shumë e faturave që kanë marrë nga burimet publike për shpenzimet që janë bërë në marketin X. Shuma që ka përfituar Sinaj duhet të ishte e mbështetur me dokumentacionin përkatës. Ky nuk është përfitimi, kjo është xhiroja. Unë dua të di sa ka përfituar Sinaj nga të gjitha këto transaksione që janë kryer.

Gazment Bardhi: Unë nuk merrem me normat e fitimit që ka kompania sepse kushtetuta flet për përfitim të fondeve publike, lekë nga buxhet i shtetit kanë kaluar në kompanitë në pronësi të Sinajt. Ai ka marrë përfitimin nga secila prej këtyre kompanive.

Klotilda Felaj-Vullnet Sinajt: A ka marrë pjesë ndonjëherë marketi X në ndonjë tenderim publik?

Vullnet Sinaj: Nuk kam marrë pjesë në asnjë prokurim dhe asnjë tender.

Gazment Bardhi: Kushtetuta për ju është absurditet.

Vullnet Sinaj: Unë kërkoj që t’i lexoj një për një faqet. Avokatët e dinë më mirë se unë. Unë kam nevojë që të marr kohë për një seancë tjetër të sjellë të dhënat e mia për akuzat që m’i drejtoi kolegu.

Elisa Spiropali: Këtë seancë ta shtyjmë jo më vonë se sa data 18 Shtator, të mblidhet sërish Këshilli i Mandateve. Data 18 Shtator është afati fundor.

Gazment Bardhi: Nuk ka nevojë për të lënë 2 javë kohë athua se deputeti do të marrë një studio ligjore.

Elisa Spiropali: Atëherë, jo më pak se një javë për të paraqitur prezencën e tij Sinaj për mbledhjen e ardhshme.


Tv Klan