Për shumë prindër, pushimet ose një shkëputje e shkurtër me partnerin pa praninë e fëmijëve janë një domosdoshmëri ndërkohë që për të tjerë ndodh e kundërta. Në rastin e Ledia Fazllit, shkëputja prej vajzës në moshë fare të vogël ka ndodhur për shkak të rrethanave, tha ajo gjatë bisedës në “Shije Shtëpie” në Tv Klan.

Ndonëse e detyruar, përkthyesja tregon se shkëputja i ka ngjallur gjithnjë ndjenja faji për kohën që kalon me vajzën. Ajo madje ia  ka shprehur këtë përmes disa reagimeve dhe fjalëve, të cilat Ledia i kujton e përlotur.

Ledia Fazlli: Unë mendoj që  janë shumë me fat nënat, përgjithësisht nënat, nuk dua të anashkaloj rolin e babait por përgjithësisht mendoj që nëna është pak më e atashuar me fëmijën dhe duke qenë që unë vajzën e kam ushqyer me gji deri në moshën 2 vjeç kur unë pastaj u sëmura me Covid dhe isha e detyruar që ta ndaja, pra janë me fat nënat që kanë mundësinë për të qëndruar me fëmijën dhe për të marrë atë lejen e lindjes dhe të rrinë me atë, ndërkohë që unë nuk e kam pasur këtë fat dhe më është dashur që ditën e katërt pas lindjes të shkoj në punë dhe ta marr vajzën me vete. Këtë pjesën e shkëputjes nga vajza e kam bërë shumë shpejt. Me pak minuta ose s’ka rëndësi, por e kam parë që kaq të vogël atë ndjesinë e shkëputjes, e kam ndier dhe e kam parë që edhe ajo ka reaguar edhe pse ka qenë shumë e vogël. Më pas pastaj, në moshën kur ajo ka kuptuar dhe ta shfaqë reagimin,  pra kur unë kam parë realisht reagimin e saj, kam parë që kjo shkëputje ka qenë jo shumë… e ka ndier vërtet dhe e ka reflektuar.

Agida Koçi: Është mërzitur apo?

Ledia Fazlli: Është mërzitur, ka pasur reagime të cilat, për shembull, në momentin edhe kur e ka folur, ka thënë që “nuk dua që të kemi lekë, dua që të jem më shumë me ty”.

Agida Koçi: Vërtet?

Ledia Fazlli: Po, e ka thënë, e ka shprehur dhe kjo më ka rënduar më shumë nga çdo gjë. Por janë situata të atilla të cilat duhet të punojmë dhe duhet të jetojmë.

Katerina Trungu: Duhet të jetë një ndjenjë faji e paparë që të të thotë fëmija kështu.

Ledia Fazlli: Në fakt është. Ndjenja më e keqe e fajit që kam ndier ndonjëherë në jetë ka qenë kur vajza më ka thënë ose kur unë shkoj në shtëpi dhe thotë “ma, kemi lekë?”, ideja që “mos të shkosh prapë të punosh, të rrish me mua”. Ka qenë ndjenja më e keqe që kam përjetuar./tvklan.al