Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e ka nisur ditën me fëmijët e shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli” duke ju uruar për një vit sa më të mbarë shkollor. Ministrja Koçiu ka shoqëruar për në shkollën “Osman Myderizi” në Tiranë, Anjezën dhe Muhametin të cilët ulen për herë të parë në bankat e shkollës.

Koçiu është shprehur se në fokus të MSHMS-së është riintegrimi në shkollë si dhe mbrojtje sociale dhe asistencë në çdo kohë për çdo fëmijë në nevojë. Gjatë vizitës në shkollës “Osman Myderizi”, ministrja Koçiu ka uruar gjithashtu të gjithë nxënësit, mësuesit dhe prindërit për një vit sa më të suksesshëm.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka theksuar se angazhimin e vazhdueshëm të institucionit që ajo drejton për të siguruar që çdo fëmijë të rritet në një mjedis familjar, duke mundësuar mirëqenien, zhvillimin dhe pjesëmarrjen e tyre të plotë në shoqëri.

Edhe gjatë këtij viti të ri shkollor, të gjithë fëmijët do mund të përfitojnë nga Programet Kombëtare të MSHMS-së, për depistimin e shikimit dhe të kujdesit dentar ku deri tani kanë përfituar 600 642 fëmijë.

MSHMS ka mundësuar hapjen e 154 kabineteve dentare në shkolla për evidentimin e problematikave dentare tek nxënësit në fazë të hershme. Rreth 208 mjekë stomatologë do të ofrojnë shërbime falas për 213,097 fëmijë në të gjithë vendin duke siguruar që çdo fëmijë të ketë akses në kujdesin dentar.

Gjithashtu, për herë të parë MSHMS ka përfshirë këtë vit Programin Kombëtar për Depistimin e Skoliozës për fëmijët e moshës 6-10 vjeç.

Qeveria ka mundësuar rreth 3,500 bursa për mbështetjen e nxënësve me nevoja të veçanta sociale dhe ekonomike, nxënës në nevojë nga komunitetet rome dhe egjiptiane. Gjatë këtij viti arsimor, 850 psikologë dhe punonjës socialë do të ofrojnë këshillim psikologjik dhe përkujdesje sociale në shkollat e vendit.