Falë ndërtimit të shkolles së re “Avni Rustemi”, 700 nxënës në Njësinë 10 në Tiranë do të zhvillojnë mësim në kushte bashkëkohore. Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se investimi në shkolla, kopshte dhe çerdhe është prioritet i Bashkisë Tiranë.
Erion Veliaj: Sot shkolla është gjëja më e re në lagje, madje ai pallati aty duket shumë i vjetër krahasuar me shkollën dhe çdo gjë tjetër përreth. Jemi në një situatë ku investimi publik është më i mirë, më i fortë dhe më i bukur dhe se investimet private në një lagje të caktuar.
Veliaj u shpreh se në total numri i shkollave të reja në Tiranë shkon në 45, ndërsa siguroi se puna do të vijojë pa u ndalur.
Erion Veliaj: Përveç 5 shkollave të reja që hapim këtë vit, shkojmë në 45 shkolla në total. Janë ndërtuar më shumë shkolla që nga koha e Pavarësisë, që nga koha e shpalljes së Tiranës kryeqytet. Në këtë sens është e pashmangshme që të jetë kështu sepse është i vetmi qytet që po rritet. Censusi na tregoi që vetëm Tirana po rritet ndërkohë që qytete të tjera kanë problem të kundërt. Të rinj që vijnë në Tiranë si student dhe pastaj krijojnë familjet e tyre këtu dhe si familje të reja kanë nevojë për çerdhe, kopshte…”
Shkolla “Avni Rustemi” në Tiranë ka edhe 2 klasa parashkollore, është e pajisur me laboratorë dhe 25 klasa mësimore.
Klan News