Alvaro Morata u përfshi në një episod sa zbavitës, aq edhe shqetësues në përfundim të sfidës Spanjë-Francë! Kapiteni i “La Roja” gjatë festimeve për fitoren, që u dha spanjollëve finalen e Kampionatit Evropian, dëmtoi gjurin.

Një stjuart, i cili po ndiqte një tifoz që po futej në fushë, e goditi atë në këmbë. Sulmuesi nisi të çalonte, ndërsa në dhomat e zhveshjes u duk sikur lëndimi kishte kaluar.

Por tifozët u shqetësuan kur e panë duke çaluar në ambientet për mediat. Sipas spanjolles sportive “Marca”, kapiteni i “Furisë së kuqe” nuk ka asgjë serioze dhe se ai do të jetë i gatshëm për finalen e 14 korrikut.

Morata u vlerësua për sjellen e tij me sjuartin nga tifozët, që pavarësisht se u godit, e qetësoi atë duke vënë në pah punën e bërë në kujdesin ndaj futbollistëve.

Për sfidën e Berlinit, trajneri Luis de la Fuente do të ketë të disponueshëm edhe mbrojtësin Jesus Navas. Lojtari doli duke çaluar nga sfida kundër “Gjelave”, por sipas stafit mjekësor nuk ka asnjë problem fizik.

Klan News