Mjekët shqiptarë janë të shpërndarë në shumë vende të Europës. Gjermania dhe Italia ka dhe numrin më të lartë të tyre. Mes tyre është edhe Kozeta Proko, Mjeke Laboratori në Veneto, në laboratorin mjekësor Castelfranco. Sipas saj, kjo pandemi është një tragjedi për Italinë dhe jo vetëm dhe nuk do të shuhet kurrë nga memoria e tyre. Veneto ku ajo jeton, është dhe një ndër rajonet më të prekura, ndaj mjekja u bën apel shqiptarëve që të mësojnë nga gabimet e Italisë dhe të zbatojnë rregullat e distancimit fizik.

“Marrja e masave parandaluese është shumë e rëndësishme. Italia ndërhyri shumë vonë. Izolimi është i vështirë, por është i duhuri. Të jeni të bindur se duke qëndruar në shtëpi po bëni gjënë më të mirë. Është më mirë të parandalosh se sa të kurosh”.

Sipas mjekes, çdokush duhet të bëjë shumë kujdes, pasi edhe pse nuk ka shenja të infektimit nga Covid-19, mund të jetë transmetues për të tjerët. Ndërkohë që këshillon që të mos përdorin asnjë medikament pa rekomandim të mjekut.

“Gjëja e dytë e rëndësishme se pjesa më e madhe 85 përqind janë asimptomatikë. Mos u rrëmbeni nga paniku. Ushqehuni shëndetshëm. Mos merrni medikamente që mund të dëgjoni online apo nëpërmjet televizionit. Kërkoni këshillën e mjekut dhe qëndroni në shtëpi”.

Italia prej disa ditësh nuk është më qendra e pandemisë së koronavirusit, edhe pse viktimat gjatë 24 orëve vijojnë të jenë të larta, me rreth 600.

“Jemi në fazën ku ende vijojnë të kemi shumë jetë të humbura. Gjeja pozitive është se këto ditë po vërehet një rënie e numrit të infektuarve. Ç’ka shpresojmë që të ketë edhe ulje të numrit të jetëve të humbura”.

Klan Plus