Shirat shkaktojnë përmbytje në Kukës e Tropojë

Moti i keq përfshiu Shqipërinë prej orëve të vona të së premtes, duke shkaktuar përmbytje në disa zona. Edhe pse reshjet u ndërprenë rreth mesditës, autoritetet raportojnë se më problematike situata ka qenë në qarkun e Kukësit ku në 8 orë ra një sasi e konsiderueshme shiu. Kjo bëri që 7 banesa të përmbyten në fshatin Fushë Lumë.

Përmbytje të mëdha pati edhe në fshatin Vlad të Njësisë Administrative Bytyç.

Shirat me intensitet të lartë bënë që shumë akse rrugore të bllokohen për shkak të ujit, inerteve dhe gurëve. Më problematike situata ishte në akset Bajram Curri – Kam ku nuk lejohet kalimi i mjeteve të renda.

Kjo ishte pamja në aksin Sopot – Kam, në kilometrin e 18, ku uji solli inerte të mëdha duke bllokuar rrugën. Ndërsa në aksin Qafë Mali – Fierzë po punohet me ekskavatorë dhe fadroma, por reshjet ende vijojnë.

Ndërsa këto pamje vijnë nga fshati Zogaj i Tropojës ku uji vërshoi në rrugë duke përmbytur shtëpi e makina.

Trageti me pasagjerë nga Komani drejt zonës së Tropojës është detyruar të kthehet mbrapsht. Shkak është bërë mungesa e pastrimit të aluvioneve dhe inerteve në liqenin e Komanit të sjella nga përrenjtë.

Në Fushë Arrëz reshjet e shiut pa ndërprerje shkaktuan bllokime të rrugëve rurale dhe nacionale.

Probleme për shkak të motit të keq ka pasur edhe në Lushnje, Elbasan dhe Vlorë. Në Elbasan stuhia e erës dhe shiut shkaktoi përmbytje. Shumë pemë u rrëzuan ndërsa në aksin rrugor drejt Qafë Thanës pati rënie inertesh.

Si pasojë e erës së fortë, deti në Vlorë dhe Durrës ka qenë i trazuar, çka ka detyruar autoritetet të ndalojnë lëvizjen e të gjitha mjeteve të vogla lundruese. Tragetet e linjës Durrës-Bari dhe anasjelltas anuluan lundrimet e parashikuara mbrëmjen e së shtunës duke i zhvendosur ato për mëngjesin e së dielës. 

Probleme ka pasur edhe me furnizimin me energji elektrike pasi 14 fidera janë ende jashtë pune. 96% e avarive janë shkaktuar në zona rurale dhe malore. Mungesë energjie ka në Kukës dhe Berat ndërsa po punohet edhe në Lushnje, Fier e Përmet.

Tv Klan